|
|
e Hënë, 09 Korrik 2012 21:33 Tiraë – Në Shqipëri ekonomia ra me 0,2 përqind në tre mujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë duke shënuar një nga situata më negative të tre viteve të fundit
Të dhënat u publikuan sot nga Instituti i Statistikave sipas të cilit një rënie të fortë ka shënuar sektori i Industrisë dhe Ndërtimit me respektivisht 19,3 dhe 17,6 perqind, si dhe Post Telekomunikacionet dhe Transportet me një ulje 4,8 dhe 1,7 përqind. Rritje pozitive ka patur vetëm dega Shërbime të tjera me 11,1 përqind dhe Tregtia me 5,3 përqind, ndërsa Bujqësia u rrit me 4,5 përqind.
Autoritetet shqiptare kanë pranuar se viti 2012 parashikohet të jetë i vështirë për ekonominë, duke ulur në 3 përqind parashikimin e rritjes, e cila fillimisht pritej të ishte 4,3 përqind për këtë vit.
Partia socialiste reagoi pasdite duke deklaruar se “të dhënat për rritjen ekonomike tremujore tregojnë edhe mënyrën spontane të zhvillimit të ekonomisë” dhe se kjo gjendje nuk është e rastësishme por sipas sekretarit për programin Ilir Beqja “është produkt i politikave të gabuara ekonomike, i korrupsionit dhe i kapjes së shtetit, si edhe produkt i paaftësisë për të njohur dhe pranuar krizën dhe për të bërë detyrën e çdo qeverie të përgjegjshme, që të marrë masa dhe veprime antikrizë”, tha zoti Beqja. (LajmeShqip.com)