|
|
e Premte, 22 Qershor 2012 19:00 Gramsh – Kryeministri Sali Berisha, i pranishëm sot në ceremoninë e inaugurimit të HEC-it të Tervolit, në komunën Pishaj, në rrethin e Gramshit, i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të guxojnë dhe të ndërtojnë kudo HEC-e, pasi Qeveria, tha ai, do të garantojë blerjen me çmim tregu për energjinë e tepërt që atyre nuk do t’u duhet.
“Shqipëria një superfuqi e vogël energjitike s`është më një ëndërr, por një realitet që do të formësohet shumë shpejt”. Kështu iu drejtua Berisha banorëve të Gramshit.
Berisha deklaroi se HEC-i i Tervolit është një vepër energjetike, e cila prodhon 12 mgw energji në ditë, me një prodhim total vjetor prej 40 mijë kw /orë. Kryeministri bëri të ditur se ky hidrocentral, vepër e investitorëve privatë, ka kushtuar 8 milionë euro. Në ndërtimin e tij u punësuan dhjetra qytetarë nga Gramshi, mes të cilëve inxhinierë e teknikë, u ndërtuan 3 km tunel, në një diametër prej 6.5 metra, që, sipas kreut të Qeverisë, është një nga tunelet më të gjatë të ndërtuar në veprat ujore në vend.
Kryeministri i bëri apel qytetarëve që të shfrytëzojmë çdo potencial ujor, ere dhe rreze dielli, në mënyrë që Shqipëria të shndërrohet në një nga eksportuesit kryesorë të energjisë në Rajon, në mënyrë që të kemi energji me çmim të leverdisshëm.
Duke folur për veprën energjetike të inauguruar sot, Berisha siguroi se “HEC-i i Tervolit është një vepër me teknologji moderne”. Duke u ndalur tek kaskada e Devollit, Kryeministri e cilësoi atë si një nga veprat më të rëndësishme dhe më të mëdha në Europë dhe një projekt që kalon në dhjetra tunele. (LajmeShqip.com)