Lajme Shqip Thursday, 04 August 2011 16:31

Prishtinë – Zyrtarë të Postë Telekomit të Kosovës dhe të Bordit të drejtorëve të kësaj kompanie përsëritën sot se kontrata me Dardafonin nuk është e dëmshme për PTK-në.

Kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Shyqyri Haxha publikoi të dhëna të kontratës mes PTK-së dhe Dardafonit për funksionimin e operatorit virtual të telefonisë mobile Z-Mobile. Duke u munduar ta pasqyrojë atë si mjaft dobiprurëse për PTK-në, ai tha se nga të gjitha operimet e Z-Mobile-it, PTK-ja pa investuar asgjë përfiton rreth 27 për qind të profitit, i cili rritet edhe më tej nga shërbimet tjera.

“Brenda vitit detyrimet e Z-Mobile ndaj PTK-së janë 1.2 milionë, kurse të hyrat nga MVNO në total janë 3 milionë, ndërkaq të hyrat për tre muaj janë 39.5 për qind dhe nuk bëhet më fjalë për 27 për qind”, tha ai.

Pikërisht në bazë të hetimeve për këtë kontratë, Prokuroria Speciale e Kosovës në qershor të këtij viti ka ngritur aktakuzë kundër pesë të pandehurve, duke përfshirë edhe kryeshefin dhe drejtorin e bordit. Haxha tha se nuk dëshiron ta pasqyrojë atë kontratë si të mirë apo të keqe, por theksoi se i mbetet publikut ta bëjë vlerësimin përkatës.

Drejtori i Bordit të PTK-së Rexhë Gjonbalaj tha se ka pasur tendenca për uljen e vlerës së PTK-së, por bordi ka vlerësuar se kontrata nuk është e dëmshme për PTK-në. Sipas tij, nevojitet një informim i drejtë, që me rastin e shitjes se PTK-së, Kosova të marrë maksimumin e mundshëm.

Ndërkohë, eksperti i ekonomisë Muhamet Sadiku shfaqi dyshime rreth privatizimit të kompanive publike, pastaj se çfarë pasojash do të ketë privatizimi i 75 për qind të aksioneve të PTK-së, duke thënë se mungon strategjia për përdorimin e mjeteve të privatizimit.

Por Liridon Mavriqi, këshilltar i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, tha se shitja e PTK-së është planifikuar që prej katër vjetësh, tashmë janë kualifikuar dy kompani dhe paralajmëroi se aktualisht janë në fazën e fundit e përgatitjes së tenderit të privatizimit.

Rreth skandalit të kontratës PTK-Dardafone, Portali LajmeShqip.com ka publikuar 12 faqe nga aktakuza e ngritur ndaj kryeshefit të PTK-së Shyqeri Haxha për implikimet në këtë skandal. (LajmeShqip.com)