Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 18:12

Tiranë – Kodi i ri Doganor Shqiptar do të hyjë në fuqi vetëm në vitin 2013, megjithëse ka përfunduar së hartuari. Ministri i Financave, Ridvan  Bode, u shpreh se Kodi do të lehtësojë procedurat për biznesin, por edhe bashkëpunimin me administratat doganore partnere.

Këtë deklaratë, Bode e bëri gjatë ceremonisë së prezantimit të projektit të binjakëzimit midis Doganave shqiptare dhe atyre austriake. Projekti quhej, “Mbështetje për përafrimin e Procedurave Doganore me Standardet e BE-së”.

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, u shpreh se, krijimi i një sistemi doganor eficient për Shqipërinë është shumë i rëndësishëm, pasi vendi synon të anëtarësohet në BE.

“Ky nuk është një projekt rajonal, por vetëm për Shqipërinë. Kodi i ri do të krijojë një sistem doganor eficient, pasi një sistem i mirë dhe funksional doganor është shumë i rëndësishëm dhe do të luajë një rol të madh në mbrojtje të konsumatorit. Ky sistem i ri do të ndikojë edhe në uljen e korrupsionit në këtë sektor,” tha Sequi.

Gjatë aktivitetit, z.Sequi i dorëzoi ministrit Bode draftin e modernizuar të Kodit të ri Doganor. Ekspertë të Bashkimit Europian kanë asistuar Qeverinë shqiptare që nga fillimi i vitit 2010 për hartimin e Kodit të ri Doganor, sipas standardeve europiane. Kjo do të arihet përmes një projekti prej 2 milionë eurosh, duke përfshirë këtu edhe zbatimin e tij.