Lajme Shqip Tuesday, 07 June 2011 18:58

Tiranë – Banka e Shqipërisë mbështet privatizimin e plotë të aseteve shtetërore, por kërkon ndërmarrjen e reformave të tjera të thella në ekonominë e vendit. Guvernatori Ardian Fullani u shpreh sot në takimin vjetor të EFSE se vendi ka nevojë për reforma me rreze të gjerë, që të përfshijnë, ndër të tjerash, edhe sistemin e pensioneve dhe zhvillimin e sistemit financiar. Guvernatori vuri edhe njëherë theksin tek nevoja për të rritur investimet e huaja, si sfida kryesore për ekonominë e vendit tonë.

“Ky objektiv strategjik mbetet një përparësi konstante për secilën prej ekonomive tona. Fokusi i tyre duhet të jetë sa më i gjerë, duke nënkuptuar përshtatjen e mëtejshme të legjislacionit, përmirësimin e infrastrukturës, privatizimin e plotë të aseteve publike, përmirësimin e klimës së biznesit, thellimin dhe zgjerimin e tregut financiar, reformën e plotë në pensione si dhe një sërë aksionesh të tjera, të cilat për arsye objektive nuk mund t’i përmend të gjitha. Mendoj se objektivi ynë madhor mbetet hyrja e investimeve të huaja direkte. Pa to rajoni do të vazhdojë të mbetet i vogël, i fragmentuar, me potencial të ulët zhvillimi social dhe ekonomik, me eksporte sporadike, me tregje  prematurë dhe me kosto të larta ose e thënë ndryshe me një produktivitet të ulët. Për mua personalisht çdo investim i huaj do të thotë konvergim i shpejtë me Evropën,” tha Fullani.

Fondi Europian për Europën Juglindore është themeluar në vitin 2005 dhe Shqipëria është një ndër vendet aksionere. Ky fond ka akorduar gjithsej 1.5 miliard euro kredi në vendet anëtare. Në takimin vjetor të mbajtur sot në Tiranë, drejtuesit e EFSE konfirmuan qëllimin për të qënë katalizator i financimit afatgjatë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.