Lajme Shqip Thursday, 09 June 2011 13:35

Tiranë – Konkurrueshmëria e ulët në një treg gjithnjë e më të globalizuar është dobësi e rëndë strukturore e ekonomisë shqiptare. Në raportimin vjetor para Kuvendit të Shqipërisë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani i bëri apel qeverisë të thellojë reformat që do të mundësojnë një rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë të ekonomisë shqiptare në të ardhmen. Sipas tij, në vitin 2010 ekonomia shqiptare u rrit kryesisht falë kërkesës së jashtme.

Guvernatori tha se aktiviteti kreditor në vend vazhdon të vuajë mungesën e një kërkese cilësore dhe të projekteve realiste, ndërkohë që vlerësoi si arritje të Bankës së Shqipërisëdhe të sistemit bankar uljen e nivelit të komisioneve dhe tarifave.

Ndërkohë, Fullani i bëri thirrje sistemit financiar të bëjë një kanalizim sa më të kujdesshëm të kapitaleve në sektorët me efiçentë të ekonomisë. Rreziku i kredisë vazhdon të mbetet rreziku kryesor për sistemin bankar.

Fullani parashikoi se ekonomia shqiptare do të vazhdojë të rritet nën potencialet e veta edhe për një periudhë afatmesme.