Lajme Shqip Thursday, 30 July 2015 13:43

Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar, në mbledhjen e mbajtur dje ka aprovuar Programin Stand-By me Kosovën.

“Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar, në mbledhjen e mbajtur me datë 29 korrik, 2015 ka aprovuar Programin Stand-By me Kosovën. Ky Program do të zgjasë për një periudhë 22 mujore, dhe përmes tij synohet të mbështeten politikat e Qeverisë për reforma fiskale, financiare e strukturore. Këto reforma janë pjesë e Programit të Qeverisë, dhe implementimi i tyre direkt do të ndikoj në forcimin e pozitës fiskale të vendit dhe njëherit do të krijojnë parakushte për një rritje më të shpejtë dhe më të qëndrueshme të ekonomisë së Kosovës.

Ministria e Financave dhe të gjitha institucionet përgjegjëse për implementim të Programit me FMN janë duke punuar në vazhdimësi, për tu siguruar se të gjitha kriteret e performancës, dhe ato strukturore përmbushen sipas marrëveshjes dhe në kohë.

Në fakt, një numër i veprimeve që janë pjesë e Programit, tani më veç janë përmbushur, siç është rasti me aprovimin e Rishikimit të Buxhetit për vitin 2015, dhe aprovimi i ligjeve që lidhen me reformat fiskale, dhe tani do filloj implementimi i këtyre ligjeve”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Financave.