Lajme Shqip Monday, 13 June 2011 19:51

Prishtinë – Pavarësia e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) është absolutisht qenësore për reputacionin e Kosovës para investitorëve të mundshëm dhe më gjerë para bashkësisë ndërkombëtare, tha Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICR) Pieter Feith, sot në një takim me Guvernatorin e ri të BQK-së, Gani Gërguri.

Feith e përgëzoi Gërgurin për marrjen e këtij posti dhe e siguroi atë për përkrahjen e ICO-së për pavarësinë e Bankës Qendrore.

Pieter Feith, sipas zyrës së tij, tha se “prioritet i ICO-së është një Bankë Qendrore e Kosovës dhe Bord i pavarur, që funksionon mirë dhe që punon në përputhje me ligjin. Kjo është qenësore për kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës. Interesat e Kosovës shtrihen në integritetin e Bankës Qendrore, parim ky që duhet mbrojtur fuqishëm”.

Ndërsa, Gërguri tha se “sistemi financiar është i fortë dhe stabil sipas masave dhe standardeve ndërkombëtare. Menaxhmenti i BQK-së do të bëjë gjithçka që është e mundur që stabiliteti i sistemit financiar të mbetet i tillë”.

Feith e ka dhënë pëlqimin e tij për emërimin e Gërgurit si Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, pas votimit në Kuvendin e Kosovës në maj të ketij viti. Pëlqimi është dhënë duke u mbështetur në autoritetin e ICR-së sipas Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.