Lajme Shqip e Premte, 29 Qershor 2012 18:23

Tiranë – Enti Rregullator i Energjisë, ul nga 2.8 në 2.2 lekë për kilowat orë cmimin e energjisë elektrike që KESH i shet kompanisë CEZ Shpërndarje. Ky vendim nuk do të ndikojë tek cmimi i shitjes me pakicë të energjisë elektrike për qytetarët.

“Bordi i komisionerëve ka marrë vendimin për vlerësimin e nivelit të borxhit të keq të shoqërisë CEZ Shpërndarje sh.a. Ky vendim sjell që bordi i komisionerëve të ketë një vendim të dytë në lidhje me tarifën e furnizuesit me shumicë për akomodimin e efekteve financiare që shkakton borxhi i keq, i cili sic dhe ju e dini akomodohet ose përshkruhet në tarifat e energjisë elektrike. Bordi i komisionerëve sot ka marrë vendimin që tarifa e furnizuesit me shumicë të jetë 2.2 lekë për vitin 2012-2014. Tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët fundorë, konsumatorët tariforë mbeten të pandryshuara 2012-2014 për periudhën e tretë rregullatore”,- sqaroi Drejtori Juridik në ERE Eduart Elezi.

Ulja e cmimit të shitjes me shumicë të energjisë elektrike do të thotë me pak para për KESH, por drejtuesit e ERE, shpjegojnë se në rast se do ketë probleme koorporata do të subvencionohet nga qeveria. 

“Risku hidrologjik, merret përsipër nga qeveria shqiptare nëpërmjet kompanisë KESH sh.a, nëpërmjet kreditimeve ose subvencioneve të ndryshme që mund të ketë kompania KESH”,- deklaroi Eduart Elezi, drejtor Juridik në ERE. (LajmeShqip.com)