Lajme Shqip Thursday, 29 March 2012 13:30

Tiranë- Prodhimi vendas i energjisë elektrike nga hidrocentralet mbi Drin gjatë vitit 2011 arriti në 4.2 miliardë KËh, ndërsa u rrit ndjeshëm importi për përballimin e nevojave konsumatore.

Sipas raportit vjetor 2011 të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), Shqipëria, ndryshe nga viti 2010, kaloi në një importues neto të energjisë dhe KESH-i u përball me një çmim të rritur mbi 30% në tregjet e rajonit. KESH përfitoi 13 milionë USD nga eksporti i energjisë në muajin janar 2011 dhe bleu energji përgjatë vitit në vlerën 190 milionë euro.

Në vitin 2011 prodhimi i energjisë u ul konsiderueshëm në 47.1% më pak se në vitin 2010 dhe sasia totale e prodhuar arriti në 4.057 Gwh, ose 53.9% e burimeve totale të energjisë, raportoi së fundi edhe INSTAT-i. Sipas këtij institucioni, vjet ulje prej 14% pati dhe prodhimi i energjisë nga HEC-et private e atyre me koncesion, krahasuar me vitin 2010.

Ndërsa pas vitit 2008 për shkak të uljes së kërkesës për energji elektrike si pasojë e krizës ekonomike botërore, çmimet e importit pësuan rënie, viti 2011 u përball me rritje të çmimit mesatar të importit të energjisë prej 32.94% më shumë, krahasuar me vitin 2010.

“Viti 2011 shënon vlerën më të madhe të shpenzimeve për blerje energjie elektrike nga importi i sasive të konsiderueshme”, vëren raporti i ERE-s.

Gjithashtu ERE vëren se CEZ Shpërndarja gjatë vitit 2011 nuk uli nivelin e humbjeve të energjisë sipas marrëveshjes përkatëse. “Niveli i humbjeve 30.9% të raportuar nga CEZ tregon se kompania nuk realizoi targetin e humbjeve”, vëren raporti i ERE-s.

Sipas këtij raporti, CEZ duhet të ulte humbjet me 6% për të arritur nivelin 27.92% gjatë vitit që shkoi, kur shënoi këtë nivel në 30.9%. Bashkë me dëmin ekonomik dhe energjinë e pafaturuar, dëmi në 2011 për CEZ arriti në nivelin  37.58 % humbje të energjisë.

Gjatë vitit 2001, veç prodhimit kryesor të energjisë në vend nga kaskada e HEC-eve mbi Drin, prodhuan energji TEC-i në Vlorë në sasinë prej 59.611 milionë këh si dhe HEC-et lokale. Të 58 hidrocentralet private  prodhuan  136.8 Gëh energji elektrike. (LajmeShqip.com)