Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 14:10

Tiranë – Privatizimi i HEC-eve pritet të sjellë përfitime të shumta për vendin, pasi me këtë proces lidhet liberalizimi i tregut të energjisë.

Ekspertë në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës thanë se “ky privatizim do të sjellë liberalizimin e mëtejshëm të tregut dhe do të rrisë nivelin e organizmit të HEC-ve, duke reflektuar në shfrytëzimin më eficent të burimeve energjitike”.

Sipas tyre, “gjithashtu privatizimi do të sjellë rritjen e të ardhurave në arkën e shtetit, ç`ka do të thotë mbulimin e investimeve të kryera në 2011 si dhe investimeve të reja për 2012″.

Miratimi i projektligjit për procedurat e privatizimit të 5 HEC-eve të mesëm, parashikon krijimin e tre shoqërive: sh.a Ulez-Shkopet, Tiranë, LanaBregas, Bistricë 1 dhe Bistricë 2 dhe ndarjen e tyre nga KESH. Sipas këtij p/ligji, në fazën e parë, HEC- i Lanabregas sipas një programi të veçantë do të vazhdojë aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike, si shoqëri më vete me kapital 100 % shtetëror. Kjo pikë krijoi shumë polemika në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, që lidhen kryesisht me pronësinë e truallit.

Ndërkaq, opozita hodhi akuza lidhur me transparencën dhe legjitimitetin e procesit.

Përballë kësaj situate, ekspertët e METE-së theksuan transparencën dhe legjitimitetin e procesit të privatizimit.

“Ngritja e tre shoqërive dhe privatizimi i tyre nuk do të bëhet formalisht”, thanë ata.

Sipas tyre ” drafti i miratuar më 1 qershor nga Komisioni parlamentar i Ekonomisë për privatizimin e 5 HEC-eve të mesëm thotë se Qeveria do të kontraktojë një shoqëri konsulente, e cila do të vendosë se si do të veprohet, përcaktimin e rregullave të konkurimit publik, cmimit, etj. Ky draft parashikon krijimin e tre shoqërive sh.a Ulez-Shkopet, Tiranë, LanaBregas, Bistricë 1 dhe Bistricë 2 dhe ndarjen e tyre nga KESH”.

Në fazën e parë, HEC i Lanabregasit sipas një programi të vecantë, do të vazhdojë aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike, si shoqëri më vete me kapital 100 % shtetëror, pohojnë burime zyrtare të METE-s.

Ekspertë të kësaj ministrie gjithashtu vlerësojnë se, problemet e pronësisë së truallit nuk janë nj problem kryesor në tërësinë e procesit. “Në p/ligj është përcaktuar qartë se  pronarët e vjetër do të kompensohen për vlerën e tokës ndërsa do të jenë të rinjtë që do të paguajnë vlerën e saj”, thanë ata.