Lajme Shqip Monday, 17 October 2011 11:45

Prishtinë – Si dhe shumë sfera të tjera, edhe sigurimet në Kosovë udhëhiqen nga yje të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Ata që ndiqen nga vendet e tyre për korrupsion, gjejnë parajsën e veprimit në Kosovë. Portali LajmeShqip.com, në raportimet ekskluzive për krimin dhe keqpërdorimet, më 12 dhe 13 prill, ka publikuar dy dosje të origjinalit të aktakuzës dhe të mashtrimeve që janë bërë në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK). Në vazhdën e këtyre publikimeve për rrjetin e krimit të organizuar në Kosovë, portali sjellë materialin ekskluziv për rrjetin e krimit të organizuar në kompaninë Croatia Sigurimi.

Njerëz të dënuar për korrupsion janë vënë në krye të Industrisë së Sigurimeve me vendim të autoriteteve shtetërore të Kosovës. I “përzënë”, nga Kroacia pasi u dënua për nënshkrim të kredive fiktive me qëllim përfitimin material, Ivica Pezo është rehatuar në Kosovë. Për, të drejtuar kompaninë e sigurimeve Croatia Sigurimi ka marrë edhe miratimin e Bankës Qendrore. Rregullatori i sistemit financiar në Kosovë shkeli rregulloren e vet, për t’ia mundësuar Pezos “rehabilitimin menaxherial”, pas dënimit nga shteti kroat.

“Aplikantët që janë marrë me ndonjë aktivitet që ka rezultuar me akuza kriminale, të zgjidhura apo pezull, automatikisht do të diskualifikohen nga konsiderata e mëtutjeshme”, thuhet në nenin e parë të rregullores për Licencimin e Kompanive të Sigurimit. Me këtë rregullore kompanitë e sigurimeve obligohen që të marrin miratim nga Banka Qëndrore për strukturën udhëheqëse të biznesit.

Kjo rregull u shkel në prill të vitit 2009. Atë muaj Pezo jo që ishte duke u hetuar, por ishte në proces gjyqësor, ku akuzohej për afera korruptive. Përkundër kësaj u rizgjodh në pozitën e drejtorit gjeneral të kësaj kompanie, të cilën e drejtonte nga viti 2005. Një vit më vonë, Ivica Pezo u shpall fajtor, por Banka Qendrore në Kosovë nuk mori asnjë vendim për largimin e tij.

“Drejtori i Croatia Sigurimi në Kosovë”, u dënua me një vit burg”, është ky titulli i tekstit të botuar në faqen zyrtare të kompanive kroate të sigurimit www.osiguranje.com.hr. Publikimi bën me dije se Pezo, duke qenë drejtor filiale në bankën “Kroacia”, në vitin 1995 ka keqpërdorur autorizimin zyrtar për përfitime materiale, duke nënshkruar kredi fiktive.

“Ish-drejtori i degës së bankës “Kroacia” në Metkovia dhe drejtori aktual i sigurimit për territorin e Kosovës dhe të Shqipërisë, Ivica Pezo (59) nga Metkovia, nga  Gjykata e Qarkut në Dubrovnik u gjet fajtor për kryerjen e veprës penale të shpërdorimit të detyrës dhe detyrave zyrtare dhe u dënua me një vit burg”, shkruan në këtë publikim zyrëtar në faqen e kompanive kroate të sigurimeve.

Gjykata e Qarkut në Dubrovnik gjeti se Pezo, në vitin 1995, si drejtor i degës së saj, me qëllim të marrjes dhe keqpërdorimit të fondeve të konsiderueshme, keqpërdori autorizimin zyrtar për miratimin e kredive bankare në vlerë prej 281.849 kuna kroate (afro 40 mijë euro), në emër të një njeriu që kurrë nuk ka qenë një klient banke.

Banka Qendrore lejoi edhe Leme Xhemen në poste menaxheriale

Edhe drejtoresha financiare e Croatia Sigurimi, Leme Xhema, nuk i ka pasur punët hiq mirë me drejtësinë, kur Banka Qendore në Kosovë miratoi emrin e saj në këtë post menaxherial, në këtë kompani sigurimesh. Gjykata e Qarkut në Prishtinë e kishte dënuar Xhemën për shpërdorim të detyrës zyrtare si drejtoreshë e Postë-Telekomit të Kosovës. Ajo u gjet fajtore pasi që kishte bërë transferimin e mbi 300 mijë eurove, duke i krijuar përftim të paligjshëm kompanisë “Norway Invest” e duke dëmtuar me këtë rast PTK-në. Edhe përkundër dënimit për keqpërdorim të 300 mijë eurove, ish-drejtoresha e PTK-së e ka mbajtur postin e drejtoreshës financiare në këtë kompani të sigurimit, e papënguar nga autoritetet e Bankës Qendrore.

Përveç Gjykatës së Qarkut edhe Gjykata Supreme më vonë do të konstatonte se Leme Xhema, në bashkëpunim me menaxherin e kompanisë Norway Invest, në periudhën janar-mars të vitit 2003, bashkë disa zyrtarë të tjerë në PTK, kishin bërë përfitime materiale për vetveten apo edhe për këtë kompani private.

Policia e Kosovës, në fillim të muajit gusht të këtij viti, disa ditë pas dhënies së verdiktit përfundimtar të Gjykatës Supreme për dënimin e drejtoreshës financiare të Croatia Sigurimi, ka lëshuar një fletarrest për kapjen e saj, ndërkohë që ajo ende gjendet në arrati, duke i ikur burgut. (LajmeShqip.com)

Dokumenti (PDF): Rregullën 4 mbi Ndryshimin e Rregullës për Licencimin e Kompanive të Sigurimit të Përgjithshëm dhe të Sigurimit të Jetës