Lajme Shqip Tuesday, 27 March 2012 11:31

Tiranë – Ambasada greke në Tiranë organizoi të martën në Hotel Sheraton, konferencën me temë “Pasojat e krizës ekonomike evropiane në rajon”, me pjesëmarrjen e deputetëve të opozitës dhe maxhorancës, ekspertë të ekonomisë nga vendet e rajonit etj.

Deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Beja, i pranishëm në këtë konferencë, tha se “Shqipëria arriti t’i bëjë ballë krizës ekonomike në eurozonë”. Sipas tij, ekonomia shqiptare ruajti tregues pozitivë përballë kësaj krize, si në drejtim të rritjes ekonomike, inflacionit të ekuilibruar dhe borxhit publik brenda kufirit të përcaktuar nga organizmat ndërkombëtare.

Beja, njëherazi dhe kryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme, theksoi se nisur nga zhvillimet si pasojë e krizës së fundit globale që përjetoi eurozona, kërkohet ende vigjilencë në politikat vendimmarrëse ekonomike e më gjerë.

Në këtë kontekst nënvizoi ai, kjo përbën interes për Shqipërinë, pasi edhe marrëdhëniet ekonomike të vendit tonë me vendet e eurozonës janë mjaft intensive, duke qenë se 3/4 e import-eksporteve, por edhe investimeve të huaja direkte kryhen me vendet e BE-ë.

Ndërsa Ambasadori grek në Tiranë, Nikolaos Pazios, duke u ndalur në pasojat e krizës ekonomike tha se, Greqia përjetoi një krizë ekonomike që në mënyrë të pashmangshme ka lënë pasoja në shumë fusha të jetës publike.

Ajo lidhet drejtpërdrejt me krizën që po torturon krejt Evropën. “Disa ekspertë argumentojnë se kjo krizë i ka rrënjët tek mënyra sesi është konceptuar eurozona, të tjerë e lidhin me gabimet në nivel kombëtar. Në këndvështrimin tim, të dyja argumentet janë të vlefshme, përderisa në një ekonomi globale izolimi është i paimagjinueshëm dhe proteksionizmi nuk është më opsion”, tha ai.

Konferenca vijon punimet me diskutimet në panel ekspertësh.