Lajme Shqip Tuesday, 21 June 2011 12:16

Tiranë – Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar i kryesuar nga Gerëin Bell, i cili prej disa ditësh ndodhet në Shqipëri për të diskutuar mbi treguesit makroekonomikë, takoi sot dhe deputetët e opozitës në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.

Pas takimit me dyer të mbyllura në Kryesinë e Kuvendit u bë e ditur se çështje të bisedës ishin borxhi publik, si dhe termat e buxhetit që po rishikohet.

Misioni i FMN-së zhvilloi gjatë javës së shkuar takime me krerët e institucioneve përgjegjëse monetare dhe financiare, ndërsa një ditë më parë ai u takua edhe me deputetë të mazhorancës, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe financat.

Burime nga Komisioni Parlamentar i Ekonomisë bënë të ditur se në fokus të diskutimeve ka qenë situata aktuale me borxhin publik, i cili vijon të mbetet në nivele rreth 59 për qind në raport me prodhimin e brendshëm bruto, dhe ndryshimet e fundit buxhetore.

Deputetët e PS-së, anëtarë të komisionit, i paraqitën misionit të FMN-së shqetësimet e tyre mbi situatën ekonomike në vend, duke u ndaluar konkretisht te dy çështjet e rëndësishme: borxhi dhe buxheti i shtetit që pritet të rishikohet tani në fund të muajit.

Ndërsa të mërkurën, Bell, së bashku me ministrin e Financave, Ridvan Bode, e Guvernatorin e Shqipërisë, Ardian Fullani, do të japin një konferencë të përbashkët. Në këtë konferencë, misioni i FMN pritet të japë rekomandimet finale për vitin 2011.

Ministria e Financave ka përgatitur draftin e ri buxhetor për pjesën e dytë të këtij viti. Sipas burimeve nga ministria e Financave, tashmë është konkretizuar drafti i rishikuar i buxhetit 2011 me parametrat e tij të rinj.

Në buxhetin e gjysmës së dytë të vitit do të shpenzohen rreth 16 miliardë lekë më pak, krahasuar me parashikimin e fillimit të këtij viti. Në draft, parashikohet gjithashtu ulje e planit të mbledhjes së të ardhurave dhe shpenzimeve, kryesisht atyre korrente. Shpenzimet korrente, referuar burimeve nga Ministria e Financave, pritet të kenë edhe uljen më të madhe.

Por, ekspertë të drejtorisë së menaxhimit të Buxhetit të Shtetit në Ministrinë e Financave theksojnë se shkurtimet në draftin e buxhetit nuk prekin strukturën e pagave, madje pagat dhe pensionet do të kenë një rritje të moderuar.