Lajme Shqip Saturday, 04 June 2011 11:52

Tiranë – Fondi Evropian për Evropën Juglindore (EFSE) do të zhvillojë këtë vit konferencën vjetore të tij në Shqipëri. Burime nga Banka e Shqipërisë bënë të ditur se punimet e këtij eventi të rëndësishëm ekonomiko-financiar, do të çelen të martën paradite, më 7 qershor, në Hotel “Sheraton”, në Tiranë.

Në këtë konferencë do të jenë të pranishëm drejtues të lartë të qeverisë shqiptare, të institucioneve financiare ndërkombëtare si dhe përfaqësues nga sistemi bankar. Në panelin e hapjes së konferencës Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, do të mbajë një fjalë.

Fondi Evropian për Evropën Juglindore (EFSE) është themeluar si një fond investimi i menaxhuar privatisht më 15 dhjetor 2005. Katër vendet themeluese të Fondit ishin Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia, ndërkohë që Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bullgaria, Maqedonia, Gjeorgjia, Moldavia, Rumania, Bjellorusia si dhe Ukraina i janë bashkëngjitur fondit gjatë pesë viteve të fundit.

Donatorët dhe investitorët e EFSE-s përfshijnë Qeverinë shqiptare, gjermane, austriake, daneze, zvicerane si dhe Komisionin Evropian, KfË-në, Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), Kompaninë Holandeze mbi Financimin Zhvillimor (FMO), Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bankën Evropiane Investive (EIB), Bankën Austriake për Zhvillim (OeEB), Sal. Oppenheim dhe Deutsche Bankën.