Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 09:55

Durrës – Eksportet e mallrave shqiptare nga Durrësi në drejtim të vendeve të tjera të Evropës vazhdojnë të rriten. Mallrat “Made in Albania”, që transportohen me anije dhe tragete kanë arritur në afro 40 për qind të vëllimit të përpunuar në portin më të madh të vendit.

Sipas burimeve të Autoritetit Portual, gjatë këtij viti janë eksportuar 577 mijë ton mallra ose 15 për qind më shumë se sa gjatë periudhës janar-maj të vitit 2010. Vetëm anijet me kontejnerë gjatë këtij 5-mujori kanë transportuar jashtë vendit mbi 143 mijë ton krom, 8.747 ton ferrokrom dhe 2720 ton koncentrat bakri, të gjitha produkte shqiptare.

Mbi 126 mijë ton mallra shqiptare të tjera janë nisur me kamionë dhe trajlerë, duke shfrytëzuar lundrimin me tragete drejt porteve të Barit, Ankonës dhe Triestes (Itali), për të vijuar më pas udhëtimin në rrugë tokësore.

Anijet me flamur shqiptar dhe të huaj kanë eksportuar gjithashtu 451 mijë ton mallra të tjerë, mes të cilave 145 mijë ton çimento dhe klinker, lëndë e parë për prodhimin e saj, nënvizuan burimet e Autoritetit portual.

Që nga fillimi i këtij viti në portin më të madh të vendit janë përpunuar afro 1 milion e 464 mijë ton mallra gjithsej ose 10 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.