Lajme Shqip Thursday, 09 June 2011 15:42

Tiranë – Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka organizuar një takim me donatorët për të diskutuar rreth masave të sigurisë në digat e kaskadave të lumenjve Drin dhe Mat.

Drejtori i KESH-it, Engjëll Zeqo, tha se, ekspertët e institucionit që ai drejton kanë zbritur në terren dhe është duke u zbatuar projekti për këtë qëllim. Ky projekt kap një vlerë prej rreth 50 milionë euro dhe pjesa më e madhe është financuar nga Banka Botërore. Investitorë të tjerë në këtë projekt janë Qeveria Zvicerane, BERZH-i, KFË dhe KESH.

Në fjalën e tij, z.Zeqo tha se objektiva të KESH-it ngelen rritja e sigurisë në diga dhe maksimizimi i prodhimit të energjisë elektrike për të plotësuar sa më mirë nevojat e konsumatorit.

Projekti është bazuar në një studim të kryer për gjendjen aktuale të digave. Në projekt parashikohen investime për rehabilitimin e digave, instalimin e sistemeve të reja të kontrollit, mbrojtjen nga rreziku i rënies së shkëmbinjve, thellimin e shtratit të lumenjve etj.