Lajme Shqip Thursday, 29 March 2012 16:58

Në prag të ardhjes së sezonit veror, Kompania CEZ ka nisur remontin e të gjithë filtrave, veçanërisht atyre që furnizojnë me energji zonat bregdetare.

Si i vetmi operator i furnizimit me energji elektrike në vend, CEZ premton se investimet e nisura bëhen për të rritur cilësinë e shërbimit dhe furnizimin e konsumatorëve me energji elektrike gjatë 24 orëve dhe në mënyrë të veçantë, atyre të zonave turistike.

“Jemi në fazë remonti të të gjitha filtrave, veçanërisht atyreqë furnizojnë zonën e bregdetit, nga Divjaka deri në Ksamil”, deklaroi, drejtori i Drejtorisë së Rajonit Jug-Perëndimor për CEZ, Luan Mustafaj.

Mustafaj sqaroi gjithashtu se ndërprerje do të ketë vetëm në rastet e avarive, apo remonteve të paralajmëruar, ndërsa për eliminimin sa më të shpejtë të defekteve, ai bëri të ditur krijimin e  brigadave të emergjencës.

Mustafaj tha se ka kërkuar edhe bashkëpunimin me drejtuesit vendor për hartimin e një programi të përbashkët për sezonin turistik, pa lënë mënjanë edhe vjeljen e faturave, si kusht kryesor për rritjen e shkallës së  investimeve në funksion të përmisimit të furnizimit me energji elektrike.

“Kam marrë takime me shumë drejtues vendor që kanë nën administrim zonat turistike.U kam kërkuar të bëjnë një grafik, ku të kenë përcaktuar zonat më prioritare dhe jemi në pritje të përpilimit dhe paraqitjes së këtyre plan-përcaktimeve  nga ana e tyre”,thotë Mustafaj.

Një nga investimet më të rëndësishme që pritet gjatë sezonit turistik, sipas drejtuesit të CEZ, është krijimi i nënstacionit 20 kilovoltësh në Sarandë, si dhe shtrirja e linjës 20 kilovoltëshe Sarandë-Ksamil, një linjë e re që do të zgjidhë përfundimisht problemin e furnizimit me energji elektrike të kësaj zone.

Ndërkohë, Mustafaj i bën apel abonentëve të kompanisë se, i vetmi burim financiar që ndikon në rritjen e shkallës së investimeve, janë të ardhurat e grumbulluara nga energjia e konsumuar.

“Sa më e lartë të jetë përqindja e faturave të paguara, aq më shumë rritet edhe shkalla e cilësisë së shërbimit, ç’ka do të thotë se në një farë mënyre, edhe konsumatorët janë kontribues në përmirësimin e furnizimit  me energji elektrike”, shprehet ai.