Lajme Shqip Monday, 25 February 2013 19:32

TIRANË–Ambasadorja e Çekisë në vendin tonë, Bronislava Tomasova komentoi sot nga qyteti i Korçës prishjen e kontratës mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë çeke, CEZ. Sipas Tomasova, prishja e kontratës nuk ishte një hap pozitiv, por nuk dëmton marrëdhëniet Shqipëri-Çeki.

“Për sa u përket marrëdhënieve dy paleshe. Siç e shprehu edhe kryeministri jonë, heqja e kontratës për këtë kompani nuk ka qënë një hap pozitiv. Por sigurisht duke qënë ambasadore e Çekisë në Shqipëri unë qëndroj në këtë vend dhe takohem çdo ditë me qytetarët e këtij vendi dhe jam e sigurtë që ne kemi një miqësi shumë të fortë. Kjo është një bazë e fortë për marrdhënien Shqipëri-Çeki”.

Ambasadorja shpreson që përpara se të kalohet në arbitrazhin ndërkombëtar, palët të pajtohen dhe të arrijnë një marrëveshje.
“Por sigurisht ju e dini që CEZ tashmë ka marrë hapa në lidhje me arbitrazhin ndërkombëtar, por para se të shkosh në arbitrazhin ndërkombëtar ka hapa të tjerë që janë hapa afatgjatë për sa i përket pajtimit të palëve. Kështu unë shpresoj dhe besoj njëkohësisht që në këtë fazë të gjatë pajtimi të arrihet një marrëveshje nga të dyja palët”.(LajmeShqip.com)