Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 14:02

Tiranë – Regjistrimi i pasurive të paluajtshme në Tiranë mund të rrisë deri në 28% vlerën e tyre. Gjin Biba, ekspert i tregut të pronave, thotë se zgjidhja e problemit të regjistrimit të pallateve të reja do të çlironte vlera të jashtëzakonshme monetare.

“Nga studimi që ne kemi bërë, së bashku me agjencinë Century 21 Albania, rezulton se një pronë e regjistruar ka një vlerë tregu 12% deri në 28% më të lartë krahasuar me një pronë të paregjistruar, në varësi të llojit, zonës dhe orientimit. Ne jemi një vend ku një pjesë shumë e madhe e pasurisë është në formën e pronave. Ndaj, regjistrimi i pallateve të reja do të rriste vlerën e pronave në treg, qoftë për transaksionet direkte, qoftë si garanci për kredi bankare,” thotë Biba.

Shoqata e Ndërtuesve është duke përgatitur një projektligj për të zgjidhur përfundimisht problemin e regjistrimit të pallateve të reja në Tiranë. Fillimisht këto pallate u përfshinë në skemën e legalizimeve, por as kjo nuk dha zgjidhje për regjistrimin e tyre përfundimtar. Pengesa kryesore është një urdhër që i ndalon Hipotekat të regjistrojnë këto prona pa një vërtetim nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve se ndërtuesi ka shlyer të gjitha detyrimet.