Lajme Shqip Thursday, 23 June 2011 15:08

Tiranë – Kosova dhe Serbia janë partnerët kryesorë të Shqipërisë për tregtinë rajonale, ndërsa shkëmbimet tregtare me vendet e marrëveshjes CEFTA kanë njohur rritje.

Drejtoresha e Politikave të Integrimit Tregtar në Ministrinë e Ekonomisë, Pranvera Kastrati, thotë se volumi i shkëmbimeve tregtare me vendet e rajonit po njeh rritje dhe në vend të parë renditen Kosova dhe Serbia.

Kastrati shpjegon se jo të gjitha mallrat shkëmbehen pa doganë. Detyrimet janë hequr për të gjithë mallrat e prodhimit industrial vendas dhe për një pjesë të prodhimit bujqësor.

Qëllimi i marrëveshjes tregtare me vendet anëtare të CEFTA-s është krijimi i një tregu të liberalizuar në rajon, që do të zgjerojë aktivitetet tregtare dhe do të mundësojë tërheqjen e investitorëve të mëdhenj.

Për vitin 2010, këmbimet tregtare me Kosovën zinin 2.1% të totalit, përkatësisht 6.1% të eksporteve dhe 0.8% të importeve shqiptare. Ndërsa këmbimet me Serbinë zinin 3.1% të totalit, nga të cilat 1.2% në eksporte dhe 3.7% në importe. (LajmeShqip.com)