Lajme Shqip Monday, 06 June 2011 18:51

Tiranë – Shqipëria ka njohur një ecuri pozitive përsa i përket konkurrueshmërisë të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, SME. Gjatë një forumi me përfaqësues të donatorëve, zv/ministri i Ekonomisë, Enno Bozdo tha se, këtë vit vendi ynë renditet i 88-i nga 139 vende të analizuara, ndërsa një vit më parë zinte vendin e 96-të. Z. Bozdo u shpreh se duhet bërë më shumë për rritjen e konkurrencës, ndaj është i nevojshem zhvillimi i kapacitetit teknologjik të firmave shqiptare. Drejtori i i Zyrës së Kooperacionit Italian për Zhvillim, Aldo Sicignano, tha se, do të vazhdojë mbështetja ndaj SME-ve me një fond prej 15 milionë euro.

“Programi italian në mbështetje të SME-ve ka filluar në janar 2009 dhe deri tani janë financuar 48 projekte me një vlerë prej 11,4 milionë euro. Kemi vërejtur se programi ka qenë i suksesshëm dhe do të vazhdojmë mbështetjen deri në fund të vitit 2012. Me anë të këtij programi do të japim kredi me terma lehtëseuese për biznesin me një vlerë prej 15 milionë euro të tjera.  Në program  parashikohet përcaktimi i linjës së kreditimit, krijimi i fondit të garancisë dhe asistencë teknike. Dua të theksoj, se ky program është i hapur për të gjitha bizneset shqiptare”, tha Sicignano.

Duke parë mangësitë në fushën e inovacionit, Qeveria në muajin Shkurt miratoi “Programin Strategjik për zhvillimin e inovacionit dhe teknologjisë së SME-ne për periudhën 2011-2016”. Ky program kap një vlerë prej rreth 10 milionë euro dhe 77 % e kësaj vlere do të përballohet nga donatorët.