Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 18:22

Tiranë – Ministria e Financave e ka konkretizuar draftin e rishikimit të buxhetit për gjysmën e dytë të këtij viti, por projekti do të shkojë në Kuvend për miratim vetëm në ditët e para të muajit Korrik. Deklarata është bërë nga ministri i Financave, Ridvan Bode.

Pak ditë më parë, drafti është dërguar në Qeveri për miratim. Në buxhetin e gjysmës së dytë të vitit do të shpenzohen rreth 16 miliardë lekë më pak, krahasuar me parashikimin e fillimit të këtij viti. Është planifikuar ulje e të ardhurave dhe e shpenzimeve, kryesisht për ato korrente, që kanë edhe vlerën më të lartë të shkurtimeve. Por, këto shkurtime nuk kanë prekur strukturën e pagave, sqarojnë burimet.

Ndërsa shkurtimet që prekin zërin e investimeve janë shqyrtuar me specialistë të ministrive të linjës, për projektet e mundshme ku do të ndërhyhet. Duke parë ecurinë e deritanishme në mbledhjen e të ardhurave, ky dikaster ka analizuar ecurinë e investimeve në projekte, në mënyrë që fondet e mbetura pezull në disa projekte të kalojnë në ato që po ecin më mirë.

Vetëm pak ditë më parë, Kryeministri Berisha u shpreh se do të ulen shpenzimet për çdo institucion. Ndërsa është premtuar se edhe këtë vit, do të ketë rritje të pagave dhe pensioneve.