|
|
e Hënë, 27 Shkurt 2012 20:00 Tiranë-Ofertuesit për privatizimin e kompanisë shtetërore të Albpetrolit duhet të kenë të paktën 80 milionë euro kapital për të investuar.
Drejtori Juridik në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Zamir Stefani, ka thënë para Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese se, ky është një nga kriteret kryesorë që duhet plotësuar për të marrë pjesë në tenderin e privatizimit.
Gjithashtu, kompanitë duhet të plotësojnë standarde të larta çertifikimi në përputhje me kërkesat e tregut europian dhe të kenë një përvojë ndërkombëtare minimale prej 5 vjetësh në fushën e hidrokarbureve.
I pyetur nga deputetët e opozitës se si do të trajtohen punonjësit që do të shkarkohen nga puna pas privatizimit të Albpetrolit, Stefani është përgjigjur se, përveç përfitimeve të parashikuara nga Kodi i Punës, punonjësit do të përfitojnë edhe një vit pagën bruto dhe do të kenë lehtësira të tjera përsa i përket marrjes së asistencës.
Të gjitha këto shpenzime do të përballohen nga të ardhurat e privatizimit. Kompania Albpetrol do të privatizohet për 25 vjet, ku firma fituese do të ketë mundësinë të shfrytëzojë burimet e naftës dhe të gazit. Shteti do të përfitojë nga renta minerare dhe taksat dhe puna e kompanisë do të monitorohet nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN). (LajmeShqip.com)