Lajme Shqip Thursday, 23 June 2011 16:21

Prishtinë – Komandanti i KFOR-it, Erhard Byler, i shoqëruar nga një grup biznesmenësh nga Sigmaringen (Gjermani), vizitoi sot Odën Ekonomike të Kosovës dhe bisedoi mbi mundësitë e bashkëpunimit ekonomik.

Në delegacionin gjerman ishin përfaqësues të sektorëve të ndryshëm me interes të veçantë për mundësinë e bashkëpunimit ekonomik me Kosovën.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, theksoi rëndësinë e partneritetit dhe bashkëpunimit në mes të ekonomive të dy vendeve dhe shprehu falënderim për angazhimin e shtetit dhe bizneseve gjermane në vendin tonë.

Gërxhaliu u angazhua për bashkëpunim, i cili nënkupton bartjen e përvojave,  transferimin e teknologjisë dhe bashkëpunimin në zhvillimin e kapaciteteve prodhuese.

Në delegacionin gjerman ishin përfaqësues te komunave te Sigmaringenit, ekspertë dhe përfaqësues të sektorëve si turizmi, edukimi, shëndetësia, kujdesi social dhe universitetet e ndryshme.

Përfaqësuesit e OEK-ut gjithashtu bënë prezantimin e gjendjes aktuale ekonomike, sektorët atraktive për bashkëpunim.

Kryetari i OEK-ut falënderoi komandantin Byler për kontributin e tij të madh, jo vetëm në aspektin ushtarak, por edhe atë politik, ekonomik e kulturor, duke theksuar se angazhimi i gjeneralit Byler meriton respekt të veçantë.