Lajme Shqip Friday, 30 March 2012 10:32

Tiranë –  Kryeministri Sali Berisha garantoi të premten biznesin se jo vetëm nuk do të ketë rritje të taksave, por po studiohen të gjitha mundësitë për një ulje të mëtejshme të tyre, lehtësim të procedurave, heqje të taksës së referencës dhe pagesa online.

“Një Shqipëri konkurruese” ishte tema e konferencës mes përfaqësuesve të komunitetit të biznesit dhe qeverisë shqiptare, ku kryeministri i premtoi sipërmarrësve taksa akoma më të ulëta dhe eliminimin e barrës burokratike.

Në fjalën e tij kreu i qeverisë tha se në një hark të shkurtër kohor ia dolëm që me reformat e ndërmarra të bëjmë ekonominë shqiptare një ekonomi kompetitive. “Ia arritëm që kjo ekonomi në kohërat më të vështira të trefishojë eksportet dhe që vendi në kohërat më të vështira të rrisë mbi 3 herë investimet e huaja”, theksoi Berisha.

Ai vuri në dukje se sot është jetike një paketë e re reformash dhe një përpjekje e re për ta bërë sërish më kompetitive ekonominë shqiptare. “Ne jemi vendi i përcaktuar për taksën e ulët dhe jemi të vendosur ta konsolidojmë atë. Ju garantoj ju (biznesin) se jo vetëm që nuk do të ketë rritje taksash, por do të ketë ulje të mëtejshme të tyre. Ne besojmë se taksat e ulëta janë shumë herë më të dobishme për shoqërinsë sesa taksat e larta. E vërteta është se bota përjetoi krizën më të thellë jo se ajo u gjet me taksa të ulëta, por se u gjet me taksa të larta”, theksoi kreu i qeverisë.

Berisha nënvizoi se ata që mendojnë se do ta shërojnë ekonominë duke shkatërruar të pasurit nuk bëjnë gjë tjetër veçse mendojnë të rikthehen në ato cikle që u provuan rrënimtare në historinë e njerëzimit.