Lajme Shqip Tuesday, 07 June 2011 13:42

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha u bëri thirrje investitorëve të huaj dhe, veçanërisht, Fondit Europian për Europën Juglindore, të mbështesin prodhimin e energjisë ujore në Shqipëri.

Në kushtet kur pas shpërthimit të centralit në Fokushima, kancelarja gjermane Angela Merkel vendosi mosndërtimin e këtyre centraleve nukleare, përparësi, sipas kreut të qeverisë shqiptare, marrin burimet e tjera të energjisë dhe në Shqipëri potencialet ujore janë ato që mund ta shndërrojnë vendin tonë në eksportuesin më të madh të kësaj energjie në rajon.

Kryeministri Berisha shpalosi për përfaqesuesit e vendeve të BE-së në vendin tonë edhe shtyllat kryesore mbi të cilat do ndërtohet Shqipëria e zhvilluar, duke i ftuar në të njëjtën kohe për investime në turizimin e pazhvilluar malor.

Duke folur për parametrat ekonomikë të vendit, kryeministri theksoi se mbi 8000 kreditë e Fondit Europian kanë qenë një ndihmë e rëndësishme në përballlimin e krizës ekonomike botërore. Por, krahas kësaj, vuri në dukje shefi i qeverisë, ishte qeveria e vogël, përgjysimimi i sektorit publik si dhe reformat fiskale, kryesisht në ndihmë të biznesit të vogël, ato që prodhuan një model ekonomik funksionues përballë krizës ekonomike e financiare globale.

Aktualisht bankat në Shqipëri janë me bilanc pozitiv, pasi janë dyfishuar kreditë dhe depozitat, theksoi kryeministri, duke sqaruar se megjithë rritjen e kredive të këqija, ato sërish janë të shëndetshme.

Sipas kryeministrit Berisha, kulmi i krizës botërore ka kaluar, por borxhet janë ato që tashmë imponojnë një qëndrim të ri. Me uljen e portofolit qeveritar, duhet forcuar sektori privat, prandaj financimi i tij nga Fondi Europian, theksoi zoti Berisha, do të kishte një rëndësi jetike.