Lajme Shqip Wednesday, 29 June 2011 14:52

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha shprehu sot vendosmërinë e qeverisë për rritjen e rrogave dhe pensioneve, ndërsa deklaroi se, “me Fondin Monetar Ndërkombëtar ka respektim rigoroz të marrëveshjes”.

Gjatë mbledhjes së këshillit të ministrave, Berisha bëri të ditur se, pas shqyrtimit të të gjithë problematikës buxhetore dhe buxhetit, është vendosur rritja e rrogave dhe e pensioneve.

Kreu i ekzekutivit e cilësoi këtë si një politikë të domosdoshme, jo vetëm një investim në burime njerëzore, por edhe si një ndjeshmëri ndaj 520 mijë pensionistëve shqiptarë të cilët meritojnë të marrin shumë më tepër nga çfarë është e mundur.

Duke bërë të ditur se do të bëhet indeksimi i rrogave të larta, Berisha tha se, ky vendim merret në një kohë kur vendet e tjera po ulin rrogat për shkak të krizës ekonomike financiare.

Shefi i qeverisë nënvizoi se, “modeli ekonomik i Shqipërisë, i përcaktuar nga refomat e qeverisë, përballoi me sukses pasojat e krizës si dhe shmangu recensionin, pasi kjo është një ekonomi e vendosur mbi parime të shëndetshme”.

Më tej, Berisha tha se megjithë rritjen mbi 100 % të rrogës mesatare dhe pothuaj mbidyfishimin e rrogave të ulëta, vendi futet në grupin e vendeve me qeveri të vogël, përsa u përket shpenzimeve në raport me prodhimin e brendshëm.

Kjo është një meritë e jashtëzakonshme e reformave, tha kryeministri, duke bërë të ditur se për rroga shpenzohen rreth 6 % të prodhimit të brendshëm.

Duke nënvizuar se ekonomia po rritet për shkak të lehtësirave të mëdha fiskale dhe burokratike, Berisha theksoi se “investimet e huaja kanë njohur rritje shumë të mëdha, ndoshta rreth 8 herë më shumë krahasuar me periudhat para 2005-ës”.

Kryeministri deklaroi se, “rritje të madhe ka pësuar edhe turizmi mbi 10 herë dhe sot vendi ka një infrastrukturë tjetër”. Sipas tij, “të gjitha këto së bashku kanë bërë që modeli ekonomik të funksionojë”.

Gjatë mbledhjes së qeverisë, Berisha u ndal edhe në marrëdhëniet që ekzistojnë mes qeverisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

“Komentet e bëra ditët e fundit, se qeveria nuk po dëgjon këshillat e FMN-së, janë vetëm trillime, pasi FMN e ka bërë të qartë çdo vit, duke theksuar me të madhe në të gjitha dokumentat e saj, suksesin e reformave ekonomike në Shqipëri”, deklaroi kreu i ekzekutivit, ndërsa bëri të ditur se, qeveria shqiptare nuk ka asnjë marrëveshje për mos rritjen e pagave me FMN-në.

Sipas tij, FMN-ja ka kërkuar vetëm mos rritjen e borxhit, gjë që është respektuar nga qeveria.

“Në treguesit e kuadrit makroekonomik siç janë borxhi, inflacioni dhe defiçiti buxhetor, luajaliteti dhe vendosmëria e qeverisë është për t’iu përmbajtur me rigorozitetin më të madh treguesve të shpallur. Ne nuk rrisim borxhin ndaj dhe ne bëjmë një rishqyrtim të buxhetit”, deklaroi Berisha.

Gjithashtu, kryeministri bëri të ditur se, “me FMN nuk kemi firmosur marrëveshje për mos rritje rrogash, ndaj nuk kemi shkelur dhe nuk po shkelim asnjë lloj premtimi. Sikurse nuk kemi marrëveshje me FMN për rritjen e taksave Pra marrëdhëniet janë shumë të mira dhe do vazhdojnë të jenë të tilla”.