Lajme Shqip Saturday, 11 June 2011 15:32

Tiranë – “Shqipëria vend i zhvilluar është ëndrra më e guximshme, por që do të bëhet realitet deri në vitin 2017″, tha të shtunën, kryeministri Sali Berisha, gjatë përurimit të rrugës Lezhë-Rrilë-Shënkoll, një investim me vlerë 2 milionë euro.

Rrruga e ndërtuar sipas standardeve më të mira evropiane, i shërben një komuniteti prej 20 mijë banorësh, nga bashkia e Lezhës dhe komunat përreth.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Kryeministri Berisha u shpreh se ndërtimi i rrugës është dëshmi e përpjekjes së përbashkët për të ndërtuar në çdo skaj të vendit Evropën që ëndërrojmë. “Rruga dhe sistemi i ri rrugor që ne ndërtojmë përbën elementin më themelor në përpjekjen tonë për të realizuar një ëndërr fisnike, një ëndërr të merituar plotësisht: Shqipëria vend i zhvilluar”, tha Kryeministri.

Pas projektit të rrugëve, sipas Kryeministrit, projekti i dytë i madh kombëtar do të jetë vaditja dhe subvencionimi masiv për çdo dru frutor që fermerët do të mbjellin.

“Ne do ta bëjmë Shqipërinë të njohur në Evropë dhe në mbarë botën për prodhimet e saj, si një dëshmi kjo e potencialeve të mëdha që ka ky vend, si një vendosmëri për tu ndarë një herë e përgjithmonë nga varfëria e skamja dhe për të ndërtuar Shqipërinë, vend i zhvilluar”, vijoi Kryeministri.

Duke u ndalur te zhvillimi i turizmit në vend, Berisha tha se “brenda një periudhe të shkurtër ai është shndërruar në një degë kryesore të ekonomisë”.

“Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme që me reformat e thella e qeverisë të bëhet një Zvicër e vërtetë me det. Potenciali i saj turistik është potenciali më i madh që mund të ketë një vend. Janë rreth 400 kilometra bregdet, nga më të bukurat në Mesdhe, për tu zhvilluar. Janë masivet malorë, ndër më mahnitësit në Europë, me potencial të jashtëzakonshëm turistik”, tha Berisha.