Lajme Shqip Monday, 06 June 2011 15:33

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha u bëri thirrje sot të gjithë qytetarëve dhe biznesmenëve, që “në interesin e tyre dhe të vendit, të përfitojnë plotësisht dhe tërësisht nga hyrja në fuqi e ligjit për faljen fiskale”.

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Kryeministri Berisha e cilësoi ligjin për faljen fiskale si një nga ligjet më të rëndësishme që votoi parlamenti.

Berisha vuri në dukje se “ky ligj në thelbin dhe esencën e tij nuk ndryshon aspak nga ligji që mund të votohej si amnisti pasi i ka ruajtur të gjitha atributet e tij. Natyrisht, për shkak të bllokimit që bëri opozita dhe vendosmërisë së saj për të mos e votuar, ky ligj u votua si falje, por kjo është falje me ligj, përfundimtare dhe e parikthyeshme, siç është përcaktuar në frymën dhe çdo gërmë të ligjit”.

Duke e cilësuar të domosdoshme kërkesën që Ministria e Financave të bëjë një promovim më të mirë të këtij ligji në mediat e vendit, Kreu i Ekzekutivit nënvizoi se “nuk ka asgjë më të pavlerë në thelb apo më me vlerë të rreme, se sa paraja e fjetur”.

“Paraja e fjetur është “para e sëmurë”, e pasigurtë, ndaj ftoj qytetarët që në përputhje me ligjin, të shfrytëzojnë të gjitha hapësirat e tij, për të mos mbajtur asgjë si para të fjetur”, theksoi Berisha.

Ai shtoi se kërkesa e qeverisë është që t’i përgjigjemi ligjit po me kaq përgjegjësi dhe gatishmëri.

“Shqipëria është këtu për shkak të lumenjve të djersës që kanë derdhur qytetarët dhe bizneset e saj. Ndaj dhe tani le të formalizojmë të gjitha kapitalet informale, duke përftuar nga kjo falje plotësisht e merituar për gjithsecilin që përfton nga ligji”, përfundoi Kryeministri Sali Berisha.