Lajme Shqip Thursday, 23 June 2011 15:59

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha, i cili mori pjesë paraditën e sotme në Forumin e Crans Montana-s për Azerbajxhanin, në Bruksel, zhvilloi një takim me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

Zyra e shtypit e kryeministrisë bëri të ditur se, gjatë këtij takimi, shefi i qeverisë shqiptare vlerësoi zhvillimet pozitive në marrëdhëniet dypalëshe.

Duke theksuar nevojën e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve, në të gjitha fushat me interes reciprok, Berisha u shpreh se investimet azere janë të mirëpritura.

Nga ana e tij, Presidenti Aliyev shprehu kënaqësinë për ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe mbështeti fuqimisht zhvillimin e mëtejshëm të tyre.

Gjithashtu, Presidenti Aliyev, shprehu interesin për të eksploruar fushat me interes për investimet e Azerbajxhanit në Shqipëri dhe shprehu gatishmërinë për të dërguar një mision të posaçëm për këtë qëllim.

Ne takim u diskutua edhe për zhvillimet në lidhje me gazsjellësin TransAdriatik, ku të dyja palët mbështetën zhvillimin e këtij projekti, si një projekt me interes jo vetëm reciprok, por edhe ndërkombëtar.

Kryeministri Berisha e ftoi Presidentin Aliyev të vizitojë Shqipërinë, ftesë që u prit me kënaqësi nga Presidenti Aliyev, i cili, nga ana e tij, ftoi Kryeministrin Berisha në Azerbajxhan.

Të dy bashkëbiseduesit theksuan se vizitat reciproke do të jenë një hap i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.