Lajme Shqip Tuesday, 28 June 2011 15:10

Tiranë – Bashkimi Europian do të financojë një projekt me vlerë 1 milion euro, me qëllim rregullimin e tregjeve në Shqipëri. Projekti synon ndihmën e koordinuar për Autoritetin e Konkurrencës dhe Departamentin e Ndihmës Shtetërore pranë Ministrisë së Ekonomisë.

Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian, Ettore Sequi, theksoi se zbatimi i dobët i ligjit në Shqipëri kërkon angazhim serioz të institucioneve dhe se nuk duhen pritur çudi nga projekte të veçanta.

“Bashkimi Europian nuk do të ishte tregu më i madh global pa garantimin e konkurrencës së ndershme. Ky projekt do të ndihmojë institucionet e specializuara shqiptare të forcojnë kapacitetet e tyre. Projekti do të synojë edhe harmonizimi e legjislacionit, por ne jemi të mendimit se problem kryesor në Shqipëri është zbatimi i ligjeve. Një projekt i vetëm mund të bëjë mrekulli dhe forcimi i ekonomisë së tregut kërkon përpjekje nga të gjitha institucionet,” tha Sequi.

Drejtorja e Ndihmës Shtetërore në Ministrinë e Ekonomisë, Anila Jani, tha se bizneset shqiptare e njohin pak instrumentin dhe format e ndihmës shtetërore, që shtrihet përtej mekanizmit klasik të subvencioneve. Projekti i Bashkimit Europian konsiston kryesisht në asistencën teknike që do të japin për dy institucionet e përfshira ekspertë nga Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Hungaria.