Lajme Shqip e Enjëte, 22 Dhjetor 2011 07:30

Tiranë- Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore miratoi një hua prej 21.6 milionë dollarëve financim shtesë për Republikën e Shqipërisë për Programin APL të Komunitetit të Energjisë të Evropës Juglindore – APL 5 për projektin e sigurisë së digave të Shqipërisë.

Zyra e Bankës Botërore në Tiranë, bën të ditur se financimi shtesë do të plotësojë kredinë origjinale të IDA-s prej 35.3 milionë dollarë për të mbështetur qeverinë në sigurimin e hidrocentraleve më të mëdha të vendit mbi kaskadën e Drinit.

Ai gjithashtu do të ndihmojë në përmirësimin e efiçencës operacionale dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së furnizimit me energji për tregun rajonal të energjisë elektrike.

Huaja shtesë do të mbështesë plotësimin e dy aktiviteteve kryesore, rehabilitimi i ujëshkarkuesve në tre digat e kaskadës së lumit Drin (hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut i Dejës); dhe rehabilitimi i hidrocentralit të Komanit nëpërmjet rinovimit të pajisjeve elektro-mekanike dhe zëvendësimit të sistemeve ekzistuese të kontrollit, mbrojtjes dhe monitorimit.

“Ky financim shtesë do të mundësojë zbatimin e suksesshëm të projektit origjinal, duke kontribuar në këtë mënyrë për sigurimin e hidrocentraleve kryesorë të Shqipëri dhe duke ndihmuar në parandalimin e një fatkeqësie të mundshme nga një prishje e digës”, tha Salvador Rivera, Drejtuesi i ekipit të Bankës Botërore për Projektin e sigurisë së digave.

Programi APL i Komunitetit të Energjisë të Evropës Juglindore – APL 5 për Projektin e sigurisë së digave të Shqipërisë është pjesë e një programi më të madh të sigurisë së digave, i financuar paralelisht nga donatorë të tjerë si SECO-Zvicër, KfË Gjermani, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Qeveria e Shqipërisë. (LajmeShqip.com)