|
|
e Shtunë, 28 Korrik 2012 12:01 Prishtinë – Taksa doganore e vendosur për ujin dhe gypat e salduar nga Qeveria e Maqedonisë do të hiqet me 1 Gusht të këtij viti, ditën kur mbaron edhe masa mbrojtëse për importin e çimentos në Kosovë. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë njofton se është në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Ekonomisë së Maqedonisë, lidhur me përpjekjen për shfuqizimin e vendimit për taksën doganore të autoriteteve maqedonase për ujin dhe gypat e salduar nga Kosova.
Qeveria e Maqedonisë ka miratuar një vendim për rritjen e tarifave doganore për ujin dhe gypat e salduar. Tarifa doganore për ujin është ngritur për 40%, ndërkaq ajo për gypat e salduar 15%.
Qeveria e Maqedonisë e ka arsyetuar vendimin me dëmtimin e tregut maqedonas të çimentos me rastin e vendimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës për masat e përkohshme mbrojtëse në importin e çimentos.
“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke bërë përpjekje maksimale në bashkërendim e hapave me Republikën e Maqedonisë për eliminimin e barrierave tregtare/doganore ndërmjet dy shteteve. Në rast të mos shfuqizimit të vendimit nga Qeveria e Maqedonisë më 1 Gusht, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të ndërmarrë të gjitha hapat e duhur në pajtim me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës, për të mbrojtur tregun e Kosovës dhe prodhuesit kosovarë, të cilët eksportojnë në Maqedoni”, thuhet në një deklaratë për media të MTI-së.
Ndërsa për Lidhjen Demokratike të Kosovës vendimi i Qeverisë së Maqedonisë për vendosjen e taksës doganore për ujin për 40% dhe gypat e salduar për 15% vjen si rezultat i politikave të mbrapshta ekonomike të Qeverisë Thaçi.
“Qeveria Thaçi po dëshmon se punon në interes të bizneseve të caktuara, e jo të qytetarëve të vendit. Tarifa në importin e çimentos i ka dëmtuar seriozisht shumë biznese për shkak të kontratave fikse të nënshkruara më herët. Të dhënat tregojnë se në fakt janë qytetarët e Kosovës ata që kanë paguar rreth 20% kosto më të lartë të ndërtimit si rezultat i vendimit të famshëm të Qeverisë Thaçi”, thuhet në një komunikatë për media të LDK-së. Sipas LDK-së, kostoja e këtij vendimi për importin e çimentos tash po prodhon efekte negative në marrëdhëniet ekonomike me vendet fqinje.
Sipas LDK-së eksportuesit kosovarë të ujit dhe gypave do të dëmtohen jashtëzakonisht shumë me këtë vendim të Qeverisë së Maqedonisë. “Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë bazë mbi të cilën të kundërshtoi këtë vendim të Maqedonisë, pasi vet ishte e para që u involvuar në vendime të tilla që janë në kundërshtim me parimet e tregtisë së lirë dhe fqinjësisë së mire”, thuhet në komunikatën e LDK-së. (LajmeShqip.com)