Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 17:06

Tiranë – Sistemi bankar synon të rrisë kredinë për bujqësinë, për të shfrytëzuar potencialet e mëdha të sektorit, por edhe për të nxitur zhvillimin e tij. Adja Angjeli, drejtore e Riskut të Kredisë në Credins Bank, thotë se bujqësia paraqitet si një nga sektorët më interesantë për bankat, megjithë problemet specifike që e kanë frenuar deri tani kreditimin.

“Kreditimi i këtij sektori përmban shumë risqe, të cilat rezultojnë në kosto dhe vështiresi analize nga ana bankave të cilat nuk kanë një kanalizim dhe infiltrim të lartë në çdo qytet dhe fshat të vendit, në të cilët ka potenciale të larta zhvillimi dhe prodhimi. Fushat e reformës që ofrojnë përfitimet më të mëdha për të siguruar akses lidhur me kreditë dhe zhvillimin aktual të sektorit ekonomik dhe financiar, kanë të bëjnë me përmirësimin e cilësisë, gjerësisë dhe thellësisë së ndërmjetësimit financiar, si dhe me nxitjen e krijimit dhe bashkepunimit të mëtejshëm me institucionet jobankare të kreditit”, thotë znj.Angjeli.

Sipas saj, rritja e çmimeve të prodhimeve bujqësore në tregjet globale mund t’i japë një avantazh konkurrues bujqësisë shqiptare dhe nga ana tjetër mund të ulë presionet inflacioniste në ekonominë tonë. Pesha e kredisë për bujqësinë në vitet e fundit përbënte mesatarisht 1.12% të totalit, pjesë mjaft modeste. Por kredia me probleme për institucionet mikrofinanciare që kreditojnë bujqësinë është ndjeshëm më e ulët se mesatarja e sistemit bankar.