Lajme Shqip Tuesday, 07 June 2011 19:00

Tiranë – Shoqata e Bankave reagon zyrtarisht për problemet me ekzekutimin e kolateralit. Në një njoftim zyrtar, Shoqata shprehet se së fundmi bankat kanë hasur shumë vështirësi për ekzekutimin e detyrueshëm të kolateralit, një proces ky thelbësor në aktivitetin e bankave, dhe shumë i rëndësishëm për ruajtjen e një sistemi bankar të shëndetshëm dhe një ekonomie konkurruese.

Sipas Shoqatës, të gjitha bankat ndërmarrin procesin e ekzekutimit të kolateralit pasi kanë përdorur të gjitha mënyrat e tjera për mbledhjen e huave. Bankat janë në treg për të kredituar ekonominë dhe mbështetur bizneset dhe individët, por kjo është një marrëdhënie reciproke; ato duhet të mbrojnë gjithashtu paratë e depozitorëve të tyre. Kur nuk gjendet zgjidhje edhe pas negociatave e diskutimeve, bankat duhet të ndërmarrin ekzekutimin e detyrueshëm kolateralit.

Një pjesë e vështirësive të hasura lidhen me proceset gjyqësore dhe vendimet e gjykatave për pezullimin e veprimeve përmbarimore, që çojnë në vonesa dhe pengim të procedurave për ekzekutimin e detyrueshëm, dhe mundësojnë huamarrësit të shmangin dhe vonojnë shlyerjen e detyrimeve financiare ndaj bankave. Pengesa të tjera lidhen me pasaktësitë në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe mangësitë e informacionit në dosjet përkatëse të pasurive, që shfaqen në momentin e ekzekutimit të kolateralit dhe e bëjnë këtë të fundit një proces shumë të vështirë ose të pamundur për bankat.

Gjithë sa më sipër ndikon në zgjatjen artificialisht të procesit të ekzekutimit të detyrueshëm të kolateralit, dhe në përkeqësimin e marrëdhënieve financiare mes bankës dhe klientit. Ndërkohë, kultivohet një mentalitet negativ: huamarrësit shpesh përqendrohen në gjetjen e mënyrave për të shmangur ekzekutimin e detyrueshëm të kolateralit në vend që të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për shlyerjen e detyrimeve të tyre. Sipas Shoqatës së Bankave, precedentë të tillë dëmtojnë rëndë veprimtarinë e bankave, duke vendosur në rrezik procesin dhe vazhdimësinë e shëndetshme të kreditimit, aq shumë të nevojshëm për zhvillimin ekonomik të vendit.