Lajme Shqip Wednesday, 29 June 2011 12:36

Tiranë – 11 projekte të shoqërisë civile në vend, të fokusuara në çështjet e barazisë gjinore, veçanërisht në lidhje me grupet e mënjanuara dhe të rrezikuara të popullsisë, do të mbështeten me rreth 60 mijë dollarë nga Banka Botërore.

Zyra e këtij institucioni në Tiranë, njoftoi se ka shpallur fituesit e Fondit për Shoqërinë Civile për vitin 2011. Projektet e paraqitura nga 11 shoqata synojnë aksesin ndaj arsimit; mbrojtjen sociale, shërbimet shëndetësore; fuqizimin e grave në nevojë; ndërgjegjësimin mbi stereotipet gjinore dhe ndryshimet e mentalitetit mbi kontributin e grave etj.

Rreth gjashtëdhjetë projekt-propozime u shqyrtuan nga Komiteti i Jashtëm i Vlerësimit i përbërë nga përfaqësues të komunitetit të donatorëve dhe organizatave ndërkombëtare që punojnë me programe të shoqërisë civile dhe nga Komiteti i Brendshëm i Vlerësimit, i përbërë nga stafi i Bankës Botërore, të cilët përzgjodhën 11 projekte fituese.

Organizatat dhe projektet fituese për këtë vit janë: Reduktimi i dhunës ndaj grave rome dhe egjyptiane nëpërmjet edukimit të komunitetit, ARSIS – Organizatë Shoqërore e Përkrahjes së të Rinjve, (Tiranë); Ndërtimi i një modeli ekonomik mbi ofrimin e shërbimeve sociale – çerdhe, lavanteri, dhe mencë (take aëay) – për fuqizimin e grave të punësuara dhe ndryshimin e mentalitetit mbi kontributin e tyre në punë, familje dhe komunitet, Dhuna në familje, problem i gjithë shoqërisë, Forumi i Pavarur i Gruas Shqiptare, (Laç, Berat, Sarandë); Ndërgjegjësimi i grave dhe të rejave për rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre në vendim-marrjen e komunitetit, Artistët dhe Fëmijët, (Pogradec); Trajnim profesional i grave rome dhe mbështetje psiko-sociale për përmirësimin e barazisë gjinore, Rromani Baxt Albania, (Tiranë) etj.