Lajme Shqip Saturday, 03 March 2012 20:00

Tiranë- Ekspertët e ekonomisë gjykojnë se kriza ekonomike në eurozonë dhe moti i keq ndikuan në uljen e tregtisë me jashtë.

Ardian Civici rektor në Universitetin Evropian të Tiranës, njëherazi dhe njohës i mirë i politikave ekonomike, tha në një prononcim për ATSH-në, lidhur me këtë argument se, “ndonëse Shqipëria gjeti ‘recetën’ e duhur për të përballuar krizën ekonomike si dhe modelin e duhur ekonomik që minimizoi efektet e zhvillimeve negative në eurozonë, varësia tregtare me vendet e BE-së, bëri që efektet e krizës globale të japin ndikimin në bilancin e eksporteve shqiptare drejt këtyre vendeve”.

Sipas tij, përpos kësaj, një faktor tjetër që pati ndikim në kahun e kundërt të rritjes, ishte dhe sezoni i një dimri të vështirë që kaloi jo vetëm Shqipëria, por dhe vendet evropiane e më gjerë.

Në këtë kontekst, thekson Civici, pritshmëria e treguesve rënës në sektorin e tregtisë nuk ishin të paparashikuara në optikën e politikave ekonomike nga institucionet e linjës, por ajo që dua të evidentoj, vijon ai, është fakti se, ekonomia shqiptare po performon suksesshëm në rritjen e prodhimit vendas, ecurinë e privatizimeve të rëndësishme etj, të cilat janë komponentë që balancojnë luhatjet në sektorë specifik dhe janë kontribuese në PBB.

Ndërsa prof. Artan Gjergji, një zë tjetër i njohur në analizat ekonomike thotë se, krahas krizës ekonomike faktor tjetër që ndikoi në rënien e tregtisë së jashtme të vendit, gjatë janarit të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, është dhe sezonaliteti i prodhimit, veçanërisht për sektorin e bujqësisë, i cili jep një kontribut të rëndësishëm në eksportet shqiptare.

Gjithësesi, gjykon ai, nëse situata në eurozonë do të përmirësohet, kjo do të ndikojë pozitivisht edhe në rritjen e shkëmbimeve tregtare të vendit. Një ditë më parë INSTAT publikoi shifrat më të fundit për tregtinë e jashtme për muajin e parë të këtij viti ku vërehet rënie e eksporteve dhe importeve.

Sipas të dhënave, gjatë janarit u eksportuan 13,448 miliardë lekë mallra, me ulje 18.8 % në krahasim me dhjetorin 2011, ndërsa u importuan 35 miliardë lekë mallra me ulje 33 % ndaj dhjetorit. (LajmeShqip.com)