Tiranë / Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto priti, Guvernatorin e Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës, Raphaël Alomar dhe ekipin e tij, që ndodhet në Shqipëri për takimin e 46-të vjetor të Bankës, që për herë të parë organizohet në Tiranë, në datat 10-12 Qershor.
Zyra e shtypit e MPJ-së, bëri të ditur se gjatë këtij takimi, Haxhinasto vlerësoi kontributin e Bankës për Zhvillim të KiE në Shqipëri, për projektet e orientuara në fushat prioritare, si politikat sociale, në arsim e shëndetësi e së fundi në projektet infrastrukturore.
Numri dy i qeverisë shqiptare sugjeroi edhe mundësinë e shtimit të projekteve për shtresat në nevojë, si komuniteti rom e egjiptian, por edhe në fushën e turizmit e trashëgimisë kulturore, si një bazë e fuqishme për zhvillimin e vendit.
Nga ana e tij, Alomar theksoi se “Shqipëria është histori suksesi e Bankës për Zhvillim të KiE”. Ai shprehu angazhimin e Bankës për të mbështetur projekte të tjera në Shqipëri dhe për shtimin e kapitaleve, duke filluar nga pranvera e vitit të ardhshëm.
Gjithashtu, Guvernatori i Bankës për Zhvillim të KiE-së u shpreh i impresionuar nga ndryshimet e mëdha që ka bërë Shqipëria vitet e fundit dhe falënderoi Qeverinë Shqiptare për krijimin e kushteve për organizimin e takimit të 46 vjetor të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës.