Lajme Shqip e Mërkurë, 26 Tetor 2011 18:32

Tiranë- Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën disa vendime të rëndësishme si ai ” Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë “ALBPETROL”, sh.a, Patos.

Duke u ndalur në këtë vendim, Kryeministri Sali Berisha u shpreh se ky privatizim do të bëhet në përputhje të plotë me ligjin e miratuar në vitin 1998, për privatizimin strategjik.
“Në mbledhjen e sotme ka një seri vendimesh, por unë do të veçoja vendimin për privatizimin e ALBPETROL-it, privatizim, i cili do të bëhet në përputhjen më të plotë me ligjin e miratuar në vitin 1998 për privatizimin strategjik” tha kryeministri.

Gjithashtu, Këshilli i Ministrave miratoi vendimet: “për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të hidrocentraleve mbi kaskadën e lumit Vjosa, si propozim i kërkuar.” si dhe vendimin “për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të HEC-ve “Vokopola 1″ e “Vokopola 2″ dhe miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese që i jepet shoqërisë.

Kryeministri u shpreh se “sërish në përpjekjen tonë për Shqipërinë, superfuqi të energjisë së rinovueshme në rajon, ne sot vendosim për të paraqitur në treg, si propozim të kërkuar Kaskadën e Vjosës, një nga kaskadat më të mrekullueshme të Shqipërisë. Kompanitë më serioze evropiane kanë bërë studimin e Vjosës në të gjithë rrjedhën e saj në territorin e Shqipërisë”.

Kreu i qeverisë theksoi se kompanitë parashikojnë se, në këtë kaskadë mund të ndërtohen një seri HEC-esh, natyrisht seria e tyre do të përcaktohet nga zgjidhja përfundimtare e projektit dhe kontratës.

“Një gjë është e sigurtë, që ne jemi të vendosur që me çdo litër ujë që buron apo që rrjedh në këtë tokë, të bëjmë gjithçka që para se të shkojë në det apo në liqenet e vendit, të shndërrohet në energji elektrike”, tha Berisha.