Lajme Shqip Tuesday, 03 November 2015 11:12

Drejtori menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, tha se çështja e reduktimit të punëtorëve në Telekomin e Kosovës nuk është në agjendën e tij në këtë periudhe. Sipas tij, për këtë çështje duhet angazhimi i ekspertëve dhe kompanive konsulente.

Këto komente, Mustafa i bëri të hënën mbrëma në emisionin e parë për këtë sezon “Ekonomia me Erëzën” në Kohavision.

Mustafa tha se stopimi i rënies së valës mbetet prioritet për të.

“Se a ka mbipunësim apo jo, nuk mund të them asgjë, sepse nuk ka qenë fokusi im që të merrem më atë se sa është numri i punëtorëve. Pra, nuk do të merrem me çështjen e mbipunësimit të Telekomit të Kosovës, kjo për arsye se nuk mund të merrem me punësim duke e marr për bazë ambientin ekonomiko social në vendin tonë”, tha Mustafa, raporton Koha.net.

Gjatë intervistës, Mustafa foli edhe për shpenzimet në marketing si dhe kontratën me grupin humoristik “Stupcat”. Sipas tij, nuk është hera e parë që Vala bënë marketing të fuqishëm. Ndërsa, lidhur me kontratën me “Stupcat”, tha se janë respektuar të gjitha rregullat dhe procedurat deri te nënshkrimi i kontratës.

“Kontrata me “Stupcat” nuk është gjysmë milioni siç është thënë, është më pak se gjysmë milioni. Është 205 mijë euro në vit, janë respektuar rregullat e prokurimit publik, çdo procedurë është respektuar, çdo procedurë ka shkuar deri në fund”, theksoi ai.

Drejtori menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa gjatë intervistës shtoi se viti 2016 do të jetë viti i zhvillimit.

I pyetur se a ka pretendime politike, Mustafa mohoi një gjë të tillë duke thënë se aktivitetet e tij kanë një synim, e që sipas tij është zhvillimi i valës.

“Jo nuk ka asgjë të vërtetë këtu, dhe as që mendoj për rrugë politike. Unë e kam vetëm një prioritet që më jep kënaqësi në aktivitetet e mija ditore”, deklaroi Mustafa.

Ndërkaq, sa i përket çështjes së privatizimit tha se një gjë e tillë duhet të ndodh kur ndërmarrja të jetë në pikun e zhvillimit.