Lajme Shqip Thursday, 15 December 2011 20:00

Tiranë – Ndërsa agjencitë turistike kanë rritur gjeografinë e destinacioneve që u ofrohen qytetarëve shqiptarë për të kaluar festat e fundvitit, në sportelet e tyre vihet re një rënie e lehtë e kërkesave deri tani, megjithëse kjo shpjegohet edhe me mentalitetin tonë për lënien e gjërave në momentin e fundit.

Në një bisedë të zhvilluar sot me Kryetarin e Unionit të Operatorëve Turistikë shqiptarë, Sadik Malaj mësohet se agjencitë turistike ndoshta për shkak edhe të efekteve psikologjike të krizës ekonomike globale ofrojnë këtë fundviti paketa turistike rreth 20-30 % më të ulëta. Ai thotë se tendenca është drejt destinacioneve turistike malore me prezencë dëbore si Mali i Zi, Maqedonia apo Bullgaria.

Z. Malaj, jemi në prag të festave të fundvitit. Çfarë ofrojnë agjencitë turistike këtë herë?

Festat e fundvitit janë evenimenti më i madh turistik i kompanive turistike. Agjencitë turistike kanë 2-3 muaj që kanë promovuar në treg destinacionet për festat e fundvitit, Krishtlindjet dhe Vitin e Ri. Këtë vit si risi është gjeografia e prezantimit të paketave turistike, e cila rezulton shumë më e gjerë se vitet e tjera dhe kjo si pasojë e liberalizimit të vizave dhe të mundësive që i’u krijuan qytetarëve shqiptarë që të lëvizin të pakondicionuar.

Janë dy lloj destinacionesh turistike që po ofrohen nga agjencitë turistike. Janë paketat turistike që kanë të bëjnë me turizmin rajonal në disa destinacione të njohura të turizmit të bardhë që quhen qendrat e skive si Mali i Zi, konkretisht Kolashina, apo Mavrovi i Maqedonisë, ndërsa ka një tendencë edhe për promovimin e destinacioneve turistike malore të Bullgarisë.

Ndërsa në grupin e dytë renditen disa nga destinacionet e spikatura perëndimore si Parisi, Roma, Brukseli Vjena, Budapesti apo Spanja. Ndërsa një numër të konsiderueshëm turistësh orientohen nga Greqia pasi është një destinacion i afërt. Janë edhe destinacionet ekzotike për pushuesit klasikë si vendet Moldive, Karaibet, Dubai, etj. Pra në këtë gjeografi shumë të gjerë janë rreth 60 destinacione të prezantuara nga agjencitë turistike përmes paketave të ndryshme.

Po t’u referohesh edhe shitjeve të bëra deri tani, ka destinacione që janë mbyllur me kohë, si Kolashina, apo Mavrova destincione ku kalimi i fundvitit ka prezente borën.

A ofrohen në vendin tonë destinacione të tilla?

Do të ishte mjaft mirë që edhe në Shqipëri të kishim destinacione të tilla. Pavarësisht se janë prezantuar destinacione si Valbona, Thethi, apo Voskopoja e Dardha. Çështja është se ende nuk kemi infrastrukturën për të zhvilluar një turizëm malor në këtë sezon. Ende nuk kemi qendra të skive, apo teleferik.

Si paraqiten çmimet e ofertave këtë fundvit?

Paketat turistike mund të theksohet se janë shumë më të lira se sa një vit më parë për të njëjtin destinacion. Ka një ulje prej 20-30 %. Kjo ka të bëjë jo vetëm me konkurrencën, por edhe me liberalizimin e lëvizjes së qytetarëve. Klientela është e njëjtë në numër, atëherë duhet të ofrohen disa paketa turistike më të lira dhe destinacione më interesante, krahas promocionit për të joshur klientët.

Po fluksi i kërkesave si paraqitet këtë vit duke patur parasysh dhe faktin se kriza ekonomike ka ndikuar edhe në ekonominë tonë?

Deri tani, megjithëse ne kemi një specifikë që jemi treg i minutës së fundit do të thotë që deri në minutën e fundit nuk dihen shitshmëritë. Në ditët e fundit vihet re gjithmonë një bum që shkon në gati 50 % të shitjeve të këtij niveli. Por nga pritshmëritë tona, duke patur parasysh edhe problematikat që po shfaqen në ekonominë rajonale e për rrjedhojë edhe në atë vendas,e llogaritim që shitjet të jenë në të njëjtat nivele sa ka qenë në vitin 2010.

Por për shkak të krizës ekonomike globale, si dhe për shkak të trazirave në Lindjen e Mesme gjatë sezonit veror është vënë re një rritje e turistëve që kanë zgjedhur Shqipërinë për të pushuar, konkretisht nga vendet perëndimore. Ne u vendosëm në planin e parë të këtyre kërkesave.

Po kështu edhe për shkak se pati një promocion shumë të madh të Shqipërisë si një destinacion i mirë dhe i lirë nga agjencitë turistike, Ministria e Turizmit, nga diplomacia dhe media. Ne presim që edhe në vitet në vijim të kemi flukse turistike në rritje, në hyrje.

Sa i takon flukseve turistike në dalje jemi më mirë se vitet e kaluara por nuk ishim më mirë në destiancionet e reja që pretendohej, konkretisht vendeve perëndimore. Flukset u drejtuan sërish drejt Turqisë, Malit të Zi Kroacisë apo Greqisë, kjo për shkak të ofertave më të lira.

Z. Malaj si e shikoni zhvillimin e turizmit malor shqiptar?

Turizmi malor është destinacioni i së ardhmes, pasi është një tendencë botërore sot, duke patur parasysh atë që ky lloj turizmi ofron, si kontakti me natyrën, ajri i pastër. Ka disa avantazhe ndaj dhe po klasifikohet si tendencë botërore.

Kryeministri po i mëshon shumë zhvillimit të turizmit malor. Por përveç se e promovon dhe orienton po avancohet shumë edhe në investimet infrastrukturore në këto zona, konkretisht në atë rrugore drejt destinacioneve malore. Vetëm këtë vit, janë inauguruar disa rrugë që lidhin këto zona me zonat urbane si rruga për në Valbonë, Tamare, Vermosh, Unaza lindore Kukës-Krumë-Has, rruga për në Shishtavec, Gjinar, Labinot, ajo e Stërblevës, etj.

Ajo që ne shohim si një handikap të kësaj tendence është çështja e rritjes së kapaciteteve akomoduese në këto zona. Psh. i gjithë sistemi akomodues në zonën e apleve verilindore është i orientuar në zhvillimin e njësive akomoduese të tipit bujtina apo hane. Këto janë të limituara pasi mundësitë për t’i ristrukturuar nga vetë banorët janë të vogla. Në Theth janë 200 shtretër, Valbonë 100 shtretër, ndërsa në zonat juglindore ka një zhvillim më të mirë si në Dardhë apo Voskopojë. Por, duke patur parasysh gjeografinë që mund të zhvillohet si destinacion turistik malor në vendin tonë, ky lloj turizmi është pak i zhvilluar. Problemi janë mundësitë investuese.

Këtu besoj se duhet një ndërhyrje nga qeveria, ministria e Turizmit apo organet lokale në bashkëpunim me agjencitë përkatëse të ngritura nga qeveria, si ajo e zhvillimit të zonave malore apo Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Këto organe mund të krijojnë projekte të mirëfillta zhvillimi dhe financimi të projekteve në këto zona ku mund të gjendeshin mundësi financiare si kredi të buta, kredi pa interes apo donacione të donatorëve potencial.

Përmes këtyre politikave mund të krijohej një mundësi për të rritur potencën e njësive akomoduese në këto zona, ku vet komuniteti lokal është i interesuar të investohet.

Një tjetër problem që ne e kemi parashtruar dhe që mendojmë se një ndërhyrje e qeverisë do ta zgjidhte është edhe çështja e pronësisë. Në një pjesë të mirë të zonave malore, banorët nuk janë të pajisur me dokumentat e pronësisë që përbëjnë pengesë për një investitor serioz.