Lajme Shqip Tuesday, 28 June 2011 18:25

Tiranë – Eksportet shqiptare e ngadalësojnë hapin, por ngelen më të larta krahasuar me një vit më parë. Sipas informacionit të publikuar sot nga Instituti i Statistikave, për muajin Maj eksportet shqiptare kishin vlerën e 16.2 miliardë lekëve, me një rënie prej rreth 8.3% krahasuar me një vit më parë.

Megjithatë, ecuria progresive për pesëmujorin ngelet pozitive krahasuar me vitin e kaluar. Në pesë muaj, Shqipëria eksportoi 82 miliardë lekë mallra, me një rritje prej rreth 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010.

Rritja e eksporteve shqiptare për këtë pesëmujor i detyrohet kryesisht ecurisë së grupit, “Materiale ndërtimi dhe metale”, që u rritën me 58%, grupit“Tekstile dhe këpucë”, me 19.3% dhe grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji”, me 18.3%. Importet paraqiten në rritje, si për muajin Maj, ashtu edhe për pesëmujorin.

Për Majin, importet u rritën me 11.7%, ndërsa me bazë pesëmujore u importuan afro 208 miliardë lekë mallra, 15.5% më shumë krahasuar me një vit më parë. Rritja e importeve ka sjellë edhe rritje të defiçitit tregtar, që për pesë muajt e parë të vitit kishte vlerën e 125.8 miliardë lekëve, 10% më shumë krahasuar me pesë mujorin e parë të vitit 2010. Edhe për këtë vit partneri kryesor tregtar vazhdon të jetë Italia, që zë 28% të volumit në importe dhe  51% në eksporte.