|
|
e Martë, 17 Korrik 2012 08:34 Tiranë – Përfundoi sot projekti i binjakëzimit mes Bankës së Shqipërisë dhe bankave kombëtare të Italisë dhe Francës, i financuar nga Bashkimi Evropian me 1 milion euro.
Gjatë 20 muajve të fundit, projekti përmirësoi praktikat e punës së Bankës së Shqipërisë duke i sjellë ato më afër praktikave të Sistemit Evropian të Bankave Qëndrore. Konkretisht, ekspertë nga Banca d’Italia dhe Banque de France punuan së bashku me homologët e tyre shqiptarë, të cilët u trajnuan për të ndihmuar integrimin ekonomik të vendit me Bashkimin Evropian.
Gjatë ceremonisë së prezantimit, Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Ettore Sequi vuri në dukje rëndësinë e reputacionit të bankave qëndrore si institucione të besueshme për ekonominë. Nga njëra anë, tha ai, një reputacion i tillë kërkon një zotim për të qenë i pavarur, dhe nga ana tjetër “besimi në politikat dhe veprimet e bankës qëndrore varet nga kapacitet teknike të asaj banke, nga aftësitë e stafit të saj dhe nga mjetet operacionale në dispozicion të saj”.
Ai u rikujtoi pjesëmarrësve se “Bankat Qëndrore përpiqen të bëjnë analizat më të plota që munden dhe duhet të jenë të përgatitura të qëndrojnë apo të bien në përputhje me cilësinë e asaj analize dhe në këtë pikë ka ndihmuar ky binjakëzim. “Kemi rritur aftësinë e Bankës së Shqipërisë për të trajtuar të dhënat, për të analizuar risqet në mënyrë që të jetë më e përgatitur për të reaguar me efektivitet”, tha ai.
Binjakëzimi mes Bankës së Shqipërisë, Banca d’Italia dhe Banque de France përgatiti dhe zbatoi një plan për rritjen e kapaciteteve të Bankës së Shqipërisë në çështje si Mbikqyrja dhe Stabiliteti Financiar, Koordinimi i Procesit të Integrimit, Edukimi Financiar, Sistemet e Pagesave, Statistikat, dhe Tregu mes Bankave. Fuqizimi i funksioneve mbikqyrëse të Bankës së Shqipërisë është thelbësor për një funksionim më të mirë të sistemit bankar, një sistem të cilit bizneset mund t’i besojnë. Kriza e fundit ekonomike dhe financiare e ka vënë edhe më shumë theksin te roli i bankave qëndrore për stabilitet ekonomik. Projekti prej 1 milion euro u zbatua përgjatë një periudhe 20-mujore nga bankat qëndrore të Italisë dhe Francës. (LajmeShqip.com)