Lajme Shqip e Martë, 19 Qershor 2012 15:45

Tiranë – Deputetë të parlamentit të Kosovës të cilët po vizitojnë këto ditë Shqipërinë u angazhuan për gjetjen e një zgjidhjeje për tarifën e rritur të importit të çimentos.
Qeveria e Kosovës vendosi një javë më parë rritjen me35 % të tarifës doganore për importin e çimentos, duke dëmtuar kështu biznesin shqiptar, i cili furnizon mbi 40 % të tregut.

Gjatë një takimi të zhvilluar në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave deputetët e Kosovës deklaruan se shumë shpejt do të gjindet një zgjidhje sa i takon kësaj tarife, e cila është e dëmshme, por e përkohshme.

Deputeti shqiptar Gjok Uldedaj në një prononcim për mediat pas takimit të zhvilluar tha se diskutuam për gjetjen e një zgjidhjeje sa i takon tarifës doganore për importin e çimentos. “Homologët tanë kosovarë ranë dakord të rishikonin çështjen. Ata pranuan se një tarifë e tillë dëmton biznesin shqiptar, duke qënë se mbulojmë mbi 40 % të tregut”, tha Biznesi shqiptar i kërkoi qeverisë të ndërhyjë pranë autoriteteve kosovare për heqjen e tarifës doganore prej 35 % për importin e çimentos.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka, u shpreh pak ditë më parë se tarifa e vendosur është arbitrare dhe dëmton rëndë biznesin shqiptar.
Në analizat e DHTI-së, Odës Ekonomike të Kosovës (OTK) dhe përfaqësuesve të fabrikës së çimentos së Fushë Krujës, rezulton se 40 % e tregut të çimentos në Kosovë mbulohet nga prodhuesit shqiptarë, ku 33 % e mbulon fabrika e Fushë Krujës.

Por ministrja e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Mimoza Kusari Lila argumenton se vendimi nuk ka të bëjë vetëm me Shqipërinë, por me të gjitha vendet e tjera dhe është në përputhje me Marrëveshjen për Tregti të Lirë, CEFTA. “Kushtet e përcaktuara në deklaratën e përbashkët janë se, në rrethana kritike kur vonesat mund të shkaktojnë dëme që do të jenë vështirë të riparohen, atëherë masat e përkohshme mund të merren pa konsultime paraprake”, deklaroi Lila.

Sipas Lilës, ky vendim mund të zgjasë 90 ditë, por nëse shihet e nevojshme mund të mbesë në fuqi deri në 120 ditë. Kundër vendimit për rritjen e tarifës së importit të cimentos është shpreur edhe zyra e Bashkimit Europian në Prishtinë. Sipas burimeve zyrtare, vendosja e kësaj tarife është në kundërshtim me Marrëveshjen për Tregti të Lirë, nënshkruese e së cilës është edhe Kosova. (LajmeShqip.com)