Lajme Shqip Tuesday, 12 February 2013 09:15

Prishtinë – Portali LajmeShqip.com sjellë në vijim pjesën e dytë të dosjes ekskluzive të përgjimit në bisedat telefonike, të cilat zbulojnë skemën mafioze në Kosovë. Në fragmentin në vijim, në të cilin për shkaqe të etikës profesionale nuk shfaqen të gjitha të zbardhurat e bisedave të përgjuara, bëhet fjalë kryesisht për ndërhyrje e përfolje të tjera midis personazheve të kësaj dosjeje.

Ish-ministri Astrit Haraqia dhe Dr. Ilir Tolaj, i fundit prapa grilave e tjetri gati aty, i përfolin për të keq zv/kryeministrin Bukoshi, të cilit i japin epitetin “pizdë”, dhe sikur e “amnistojnë” deputetin Ukë Rugova, i cili, sipas tyre, nuk ka se çfarë të bëjë në rastin e tyre.

Gjatë bisedës telefonike, krijohet përshtypja që Tolaj, Rugova, Bukoshi, Haraqia dhe shokët e tyre, janë një bandë në prag të shkapërderdhjes, për shkak të mosmarrëveshjeve që dolën pas skandaleve të korrupsionit, kështu që secili po kërkon të shpëtojë kokën e vet.

Dyshja Haraqia-Tolaj s`e kursejnë Dr. Bukoshin, por sikur kanë mirëkuptim për Ukë Rugovën, i cili sipas tyre, nuk ka se çfarë të bëjë për t`iu ndihmuar.

Janë dhe personazhe të tjera të jetës publike në Kosovë, si Enver Hasani, të përfshirë në bisedat e përgjuara telefonike në këtë rast. 

Tolaj flet (ka kontakte) me njerëz me ndikim,- konstatojnë hetuesit policorë. Si njeri të rëndësishëm e përshkruajnë Astrit Haraqinë që në atë kohë kishte pozitën e zv/ministrit të Financave në Qeverinë e Kosovës.

Haraqia i tregon Tolajt se “ka folur me dikë prej Deshishkëve, pronarë të kompanisë “Jona Med”, që denoncoi korrupsionin në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Më kanë tregu Deshishkët se e kanë hjekë Naserin. Kur ta hjekin për Bujarin, bjen edhe për ty”, – citohet Haraqia.

Por, Tolaj nuk beson se mund të shpëtojë, edhe nëse Bukoshit, i hiqet aktakuza. “Munden me thanë ky e ka shti atë”,- thotë Tolaj.

“Po se i vogël është, tetëmbëdhjetë vjet i ka”,- thotë Haraqia për Bukoshin.

“Bujari është një lloj pizde” (skuthi-rrodhe),- thotë Tolaj.

Kjo miratohet edhe nga Haraqia, i cili thotë se: “njerëzit e rrethit të tyre po binden se Bukoshit i ka mbaruar karriera”.

Tolaj e pyet Haraqinë: “Si është Ukë Rugova”? Haraqia i thotë se: “ai nuk po ndihmon në rastin Tolaj”.

“Jo asnjë milimetër s`ka livritë, po mundësi s`po ka çka me ba”,- përgjigjet Haraqia.

“Jo, jo more, s`ka çka ban”,- thotë Tolaj.

Kontraditat mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Bujar Bukoshi dhe ish-sekretarit të përhershëm, Ilir Tolaj, janë shfaqur që në seancën gjygjësore, të mbajtur në gusht të vitit të kaluar, ku u konfirmua aktakuza ndaj tyre.

Avokati i Bukoshit, kishte kërkuar që rasti i Bukoshit të trajtohej i veçantë nga të tjerët, por kjo nuk ishte pranuar. Prokurorja kishte bindur gjykatësin e procedurës paraprake, se nga veprimet e të dy ish-zyrtarëve ishte dëmtuar një kompani farmaceutike.

Haraqia: Kam dy muaj pa shkuar në ministri?

Haraqia teksa bisedon me Tolajn, tregon edhe një problem tjetër. Në kohën kur ai ishte në postin e zv/ministrit të Financave nuk kishte treguar përgjegjësi ndaj kësaj detyre.

“Që dy muj ditë, sjam dalë hiq në ministri. Jo valla hiq s`jam dalë, dhe më thirrën m`u taku”,- thotë Haraqia.

Këtë veprim, ai thotë se e ka bërë pasi qeveritarët nuk po e ndihmojnë as atë e as Tolajn në dy proceset gjyqësore. Ndaj Haraqisë është hapur një proces gjyqësor, me akuzën për korrupsion, në kohën kur ai ishte ministër Kulture.

“Edhe për mu, eulex-it iu kanë servu vendorët”,- thotë Tolaj.

Në një bisedë me sekserin e tij, Imer Ajetin, përmendet emri i Alush Gashit. Një nga vendasit, i cili është edhe kundërshtari tyre.

“I kemi kundërshtarët e fuqishëm dhe duhet energji e madhe për t`i mposhtur”,- i thotë Tolaj sekserit të tij.

Përgjimet zbulojnë detaje tjera për marrëdhëniet midis Haraqisë dhe Tolajt

Haraqia i kishte premtuar Tolajt se do të takonte rektorin dhe do t`ia kryente punën. Nuk sqarohet mirë se për çfarë lloj favori bëhet fjalë.

Imer Ajeti e njofton Tolajn më vonë, se Haraqia e ka kryer punën për doktoreshën.

Iliri i thotë: “Gëzoje Jaskën (Jasmina Tolajn) si ta shohësh”.

Imeri e njofton shefin e tij, se Astrit Haraqia i është ankuar se për këtë rast iu është kërkuar ndihmë edhe njerëzve të tjerë.

Imeri shpjegon se i kishte thënë Astritit: “Vetëm ty të kemi thënë për këtë punë”.

Enver Hasani i premton Tolajt: Më mirë do të bëhet

Ilir Tolaj bisedon me vajzën e tij, Amantina Tolaj, më 15 qershor të 2012-ës.

Ajo i tregon të atit se është bashkë me Enver Hasanin, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, në një lokal të quajtur “Ultra”.

Amantina ia kalon linjën Enver Hasanit, i cili bisedon me Ilirin.

Hasani i shprehë keqardhje Tolajt për rastin e tij dhe i thotë se “fundi do të jetë i mirë”. (LajmeShqip.com)