Deri më tani janë publikuar:
19 / 430 : Dokumente konfidenciale
0 / 8: Skema të kategorizuara të gardianëve në Veri
E pëlqeni publikimin e dosjeve konfidenciale të NATO-s?
Shëno mbiemrin:
Sipas alfabetit. Kerkimi bëhet sipas mbiemrit.
A   B   C   Ç   D   Dh   E   Ë   F   G    Gj   H   I   J   K   L   Ll   M   N   Nj    O   P   Q   R   Rr   S   Sh   T   Th    U   V   X   Xh   Y   Z   Zh   Të gjithë
Rezultatet e kërkimit:

Mitrovicë (LajmeShqip.com) – Ekonomist me profesion dhe karateist me hobi, Oliver Ivanoviq, në dokumentin konfidencial të NATO-s, që po e zbardhë në vazhdimësi Portali LajmeShqip.com, cilësohet, gjithashtu, si një prej figurave kyçe të serbëve të veriut, edhe pse me një popullaritet jo edhe stabil, shkaku i babait të tij ish-aparatçik i komunizmit. Dallueshëm prej Milan Ivanoviqit, Oliveri konsiderohet nga “survejuesit” e NATO-s, siç thuhet në dokument, më liberal dhe i një vije më të butë politike. Sikur edhe të gjithë serbët tjerë të veriut, edhe ky e kishte trupin në Kosovë e kokën në Beograd. Por, gjithmonë me tendenca të lidhjes me vijat më liberale në Beograd, konkretisht njihet si i afërt me partinë ish-kryeministrit serb, tani të ndjerë, Zoran Gjingjiq, dhe me qarqet tjera rreth Vuk Drashkoviqit.

Në organizatën e veriut, KOS, Oliver Ivanoviq, sipas dokumentit të NATO-s, ishte vetëm një kukull, sepse, shkaku i pafuqishmërisë së tij politike, prapa i rrininin përfaqësuesit ekstremistë serbë të Zubin Potokut.

Por, kjo ishte koha e pasluftës.

Në dokumentin konfidencial të NATO-s citohen veprime të tjera të Oliver Ivanoviqit, të kryera para dhe gjatë luftës në Kosovë. Ai, atëherë si anëtar i SPS-it të Millosheviqit, thuhet në dokument, është shquar në fushatën për largimin e shqiptarëve nga puna, në veri të Mitrovicës, dhe për diferencimin e tyre nga të gjitha organizatat sportive, në krye të cilave kishte ardhur me direktiva të pushtetit në Beograd dhe ishte mandatuar me këtë mision. Për një kohë të shkurtër, Oliver Ivanoviqi e kishte spastruar Mitrovicën nga shqiptarët me përgjegjësi, në organizatat punuese dhe në ato sportive, në fillim të viteve ‘90.

 

Kurse, në fund të viteve ’90, Oliver Ivanoviqi përmendet si pjesë e një grupi paramilitar serb, në shërbim të plotë të krimeve të bëra me strategji në Kosovë, nga regjimi i Millosheviqit. Para luftës, sipas dokumentit të NATO-së, Oliver Ivanoviq, në palestrën sportive të Mitrovicës iu kishte shpërndarë armë serbëve, kurse kishte bërë plane për shfarosjen e shqiptarëve në lokalin “Kafana”, në Zveçan. Bashkë me një vëlla të tij, ai kishte hartuar një listë për likuidimin e intelektualëve dhe civilëve të tjerë shqiptarë në veri të Kosovës. Dokumenti konfidencial i NATO-së e bën atë përgjegjës për vrasjen e 26 shqiptarëve në veri të Kosovës, gjatë kohës së luftës.

Megjithatë, nën thjerrëzën e NATO-s zbardhet edhe një cilësi tjetër e karakterit të tij, ajo e profiterit. I gjetur ngushtë nga rezistenca e madhe e Milan Ivanoviqit brenda të të ashtuquajturit Këshilli Nacional Serb i Veriut, dhe me ndikim të pamjaftueshëm te serbët, Oliver Ivanoviqi ndërron kartën e politikës. Bashkë me Rada Trajkoviqin dhe disa të tjerë ai vendosë të bëhet pjesë e institucioneve të Kosovës. Insiston që serbët të marrin pjesë në zgjedhjet e 17 nëntorit 2001. Ai bëhet anëtar i Parlamentit të Kosovës (nën administrimin e UNMIK-ut), me kuotën e rezervuar për pakicat, shkruan në dokumentin konfidencial të NATO-s.

Për dallim prej Milan Ivanoviqit, që luante me kartën radikale, Oliver Ivanoviqi, evidenton NATO, luan me kartën liberale. Por, qëllimi ishte i njëjtë: ardhja te menaxhimi i milionave. Në kaosin e veriut atë fushë e kishte “pushtuar” Milan Ivanoviqi, ndërsa Oliverit i kishte mbetur menaxhimi i milionave të projekteve për pakicën serbe, që vinin nga bashkësia ndërkombëtare. Kjo mund të arrihej vetëm përmes partneritetit me KFOR-in dhe UNMIK-un, në radhë të parë, të cilin po e ndërtonte “Ivanoviqi i butë”, derisa thithte miliona fonde në emër të kthimit të serbëve të zhvendosur.

NATO evidenton në dokument, në pjesën e komenteve të pasqyrës së tij, se Oliver Ivanoviq e kishte të qartë se derisa angazhohej në bashkëpunim me forcat ndërkombëtare në Kosovë për kthimin e serbëve të zhvendosur, në rast të dështimit, ai do t’i fajësonte po këto forca: UNMIK, KFOR etj.

Gjithashtu, evidentohet në dokumentin e NATO-s, Oliver Ivanoviqi, i dëshpëruar nga të mosqenit “heroi serb i politikës në Kosovë”, ishte i gatshëm që në zgjedhjet lokale të vitit 2000 të garonte për një vend në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, vetëm që të luajë një rol në arenën politike.

Përçarjet brenda serbëve të veriut të Kosovës kishin bërë që ndërkombëtarët të jenë në konfuzion të plotë se me kë të bisedojnë gjatë zhvillimeve dramatike të viteve 2000 e 2001, shkruan në dokument. Në një moment, udhëheqësit lokalë të SPS-it të Millosheviqit, Vuko Antonijeviq, Marko Jakshiq e Milan Ivanoviq, kishin planifikuar nisjen e një lufte të re në Kosovë, tash kundër ndërkombëtarëve, shkruan në dokument. Për këtë çështje ishte alarmuar qeveria e atëherëshme e Beogradit, e cila udhëhiqej nga “forcat liberale”. Madje, Antonijeviq ishte i njohur për krimet e tij mbi shqiptarët, gjatë luftës në Kosovë.

Antonijeviq, Jakshiq e Milan Ivanoviq, cilësoheshin si rebelë dhe plangprishës që duan luftë të re, citon dokumenti i NATO-s, ndërkaq Oliver Ivanoviq i quante ata “njerëz të prapambetur”. Oliver Ivanoviq donte të kthejë autoritetin te serbët e Kosovës, sidomos te ata në veri, duke luajtur me kartën e unitetit apo bashkimit të të gjitha forcave politike serbe, citon dokumenti i NATO-s. Por, ai s’e bëri këtë kurrë, sepse kishte hasur në arrën e fortë të Milan Ivanoviqit dhe bandës së tij.

Në kohën e pasluftës në Kosovë, Oliver Ivanoviq, shkruan në dokument, jetonte mirë financiarisht. Një banesë të tij prej 100 metrash katrorë ua kishte lëshuar me qira marokenëve të KFOR-it në Mitrovicë dhe nga kjo përfitonte hiq më pak se 12 mijë marka gjermane në muaj.

Megjithatë, dokumenti konfidencial i NATO-së e ka parasysh se “Ivanoviqi i butë” nuk është aspak më i mirë se “Ivanoviqi i egër”. Që të dy këta kishin hasmërinë për arsye të dominimit mbi bandat dhe shtrirjen e autoritetit në veri të Kosovës, të cilin dëshironin ta shndërronin në principatë të përfitimit sa më të madh të mundshëm material e politik. Asnjëri nga ta nuk e synonte realisht mbrojtjen e interesave të serbëve të Kosovës, por e përdornin kartën e tyre për të majmur autoritetin dhe përfitimet – që të dy Ivanoviqët, nënvizon dokumenti konfidencial i NATO-s, i hartuar në vitet 2001-2002.