Lajme Shqip Wednesday, 20 July 2011 18:19

Prishtinë (PLOTËSUAR në 19:32) – Në orët e mbrëmjes ka reaguar menjëherë Posta dhe Telekomi i Kosovës, duke e demantuar kumtesën shpërndarë mediave në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të PTK-së, Shyqeri Haxha.

Kumtesa e shpërndarë përmes e-mailit është quajtur e paautorizuar dhe e pavërtetë nga Zyra e informacionit e PTK-së.

“Kjo komunikatë e pa autorizuar, e cila është dërguar në emër të Shyqyri Haxhës, dhe përbën vepër kriminale, si e tillë është e shpifur, e sajuar, dhe e lansuar nga një adresë elektronike e imagjinuar në emër të Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së”, thuhet në kumtesën e PTK-së

“Dërgimin e kësaj komunikate dhe plasimin e informatave të pavërteta e të shpifura e kanë bërë persona të papërgjegjshëm, të cilët kanë për synim prishjen e imazhit të PTK-së si dhe njollosjen, fyerjen dhe dëmtimin e imazhit tim personal si kryeshef ekzekutiv i PTK-së”, ka deklaruar Haxha, duke shtuar se qëllim i kësaj është ulja e vlerës së PTK-së në procesin e privatizimit.
PTK menjëherë pas publikimit të lajmit përmes Departamentit të Hetimeve, i ka dërguar kërkesë zyrtare Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, që të fillojë menjëherë hetimet zyrtare me qëllim të zbulimit të këtyre shantazhuesve. (LajmeShqip.com)

*************************************************************

Prishtinë – Portali LajmeShqip.com publikon kopjen e marrëveshjes, njoftimin për shkëputje të kontratës dhe ofertën e PTK-së adresuar IPKO-s për shfrytëzim të infrastrukturës së fijeve optike, e dërguar sot bashkë me kumtesën për media, në të cilën Drejtori i Përgjithshëm i PTK-së, Shyqyri Haxha, ka deklaruar publikisht se e ka nënshkruar nën trysni kontratën më të dëmshme në dhjetë vitet e fundit për PTK-në.

E nënshkruar më 17 qershor të vitit 2009 midis Shyqyri Haxhës, përfaqësues i PTK-së dhe Akan Ismailit, përfaqësues i IPKO-s, kontrata PTK-IPKO për marrjen me qira të kabllove optike nga kjo e fundit, është dashur të shkëputet më 17 korrik të këtij viti, sipas një njoftimi që Haxha i ka adresuar drejtorit të tanishëm të IPKO-s, më 19 prill 2011.

Përkundër këtij paralajmërimi, IPKO vazhdon të funksionojë pa pengesa, derisa kjo duket ta ketë çuar Shyqyri Haxhën në reagim publik.

Ndërkohë, duket se këto zhvillime kanë nisur ta lëkundin edhe vetë Slloveninë.

Këto zhvillime, skandale e shkelje të tjera, të cilat i ka publikur Portali LajmeShqip.com, hetimet nga EULEX etj., duket se kanë bërë që të fillojë rënia e kështjellës së korrupsionit në Kosovë, e ngritur për më shumë se dhjetë vjet në kompaninë publike kosovare PTK.

Por, dridhjet e saj e kanë lëkundur drejtpërdrejt kompaninë tjetër publike, Telekomin e Sllovenisë, i cili ka vendosur për shitjen e njësive të veta në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.

Telekom Sllovenije mund t’i shesë njësitë në Maqedoni dhe në Kosovë, kanë transmetuar mediat në Lubjanë.

Telekom Slovenije d.d. mund t’i shesë njësitë e veta në Kosovë dhe në Republikën e Maqedonisë për “një çmim të mirë”, citon gazeta “Finance” të ketë thënë Drejtori Ekzekutiv, Ivica Kranjçeviç.

Kompania sllovene në pronësi të shtetit, në Shqipëri, gjithashtu mund të jetë në shitje, derisa ajo në Bosnjë e Hercegovinë ka “operacione shumë të mira” dhe shitja do të ishte e pakëndshme, ka thënë Kranjçeviç.

Nga këto shitje Telekom Sllovenije synon të hyra totale neto në 28 milionë euro në vit, ka saktësuar Drejtori Ekzekutiv, Kranjçeviç, në gazetën sllovene.

Ndërkohë, Telekom Sllovenije është pronar i Kompanisë IPKO në Kosovë dhe i atyre ONE dhe PRIMO në Shqipëri.

Deklarata e drejtorit Kranjçeviç koincidon me deklaratën e sotme, në të cilën Drejtori i Përgjithshëm i PTK-së, Shyqeri Haxha, e ka pranuar publikisht dhe për herë të parë se, përveç kontratës me Dardafone, e ka nënshkruar edhe një kontratë tjetër, siç ka thënë ai, më të dëmshmen në historinë e PTK-së, me Kompaninë IPKO, “kontratën me numër protokolli 013233/09, në mes të PTK- së dhe IPKO -s për dhënien e fijeve optike kompanisë IPKO”.

Drejtori Haxha ka thënë se për këto kontrata ka qenë i detyruar të nëshkruajë, i vetëdijshëm se janë në dëm historik të PTK-së dhe të cilat, ka thënë ai, “i shkaktojnë kompanisë më profitabile publike në Kosovë humbje prej 11 milionë eurosh në vit”.

Ndërkohë, Haxha nuk ka deklaruar se nën trysninë e kujt i ka nënshkruar kontratat në dëm të PTK-së dhe, gjithashtu, ka kërkuar që të respektohet vendimi i tij për të mos deklaruar asgjë më shumë rreth kësaj çështjeje. (LajmeShqip.com)

Marrëveshja në fjalë:

 

Oferta e bërë nga PTK për IPKO: