Lajme Shqip Wednesday, 27 July 2011 18:24

Prishtinë – Portali LajmeShqip.com e publikon ekskluzivisht dokumentin e hartuar tash e një kohë të gjatë, me protagonist kyç të shumëpërfolurin Dëshmitarin X, aktakuzën e nxjerrur tash nga sirtarët e prokurorisë kundër Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij, në Rastin Kleçka.

Burime nga EULEX-i kanë thënë dje për Portalin LajmeShqip.com se Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë të rëndë kundër Limajt dhe bashkëluftetarëve të tij.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës akuzohet për pesë pika, ndër të cilat për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës, shqiptarë dhe serbë ushtarakë, policë dhe civilë.

Aktakuza është ngritur kundër Fatmir Limajt, Naser Krasniqit, Nexhmi Krasniqit, Naser Shalës, Sabit Shalës, Refi Mazfrekut, Shaban Shalës, Behlul Limajt, Arben Krasniqit dhe Besim Shurdhaj.

Fatmir Limaj, vetë i dhjeti, akuzohet, siç thuhet në aktakuzë,  për “Krime Lufte kundër Popullsisë Civile dhe Robërve të Luftës, në shkelje të Neneve 142 dhe 144 të Kodit Penal të Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë”.

Ata, thuhet në dokument, akuzohen se në bashkëveprim, përfshirë edhe Dëshmitarin X dhe shtatë ushtarë të tjerë të paidentifikuar të UÇK-së, “dhunuan integritetin trupor dhe shëndetin e një numri të papërcaktuar të civilëve serbë dhe shqiptarë dhe të burgosurve ushtarakë serbë, të paraburgosur në një qendër paraburgimi që gjendej në fshatin Kleçkë”.

Periudha kohore për të cilën është ngritur aktakuza, ka të bëjë me pjesën e parë të vitit 1999, konkretisht prej muajit janar deri në qershor, kohë kjo kur lufta në Kosovë ishte intensifikuar dukshëm dhe forcat policore, ushtarake e paramilitare të regjimit të Millosheviqit kryen krimet më makabre mbi shqiptarët.

Portali LajmeShqip.com e publikon ekskluzivisht dosjen dhe aktakuzën ndaj Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij në rastin Kleçka.

Ashtu siç edhe pritej, që në korrik të ngritej aktakuza ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës dhe Nënkryetarit të PDK-së, Fatmir Limaj, një gjë e tillë ka ndodhur mbrëmë. Portali LajmeShqip.com ka raportuar në orët e para të ditës së sotme se, prej dje, Limaj dhe bashkëluftëtarët e tij janë nën akuzë. (LajmeShqip.com)