Lajme Shqip Sunday, 10 July 2011 15:45

Prishtinë – Në dosjen që Portali LajmeShqip.com e ka siguruar nga burime brenda Prokurorisë Speciale të Kosovës, është letra të cilën Nazim Bllaca e ka lënë në shtëpinë e  pabanuar të Afrim Gashit, djalit të Sali Gashit, ku ai e shpjegon motivin, mënyrën dhe kohën e kryerjes së vrasjes, që, sipas Bllacës, është kryer nga Fahrudin Gashi. Letra nuk është e nënshkruar, por nga ekspertiza  del se është dorëshkrimi i Nazim Bllacës, i titulluar “Afrim kjo është për ty”, dhe në fund të letrës dy numra të telefonit, në të cilët Afrimi do të duhej ta konfirmojë pranimin e saj, si dhe sygjerimi “Lexoje me vëmendje…”.

Portali LajmeShqip.com e publikon ekskluzivisht letrën në të cilën Nazim Bllaca, i shpallur dëshmitar bashkëpunues i gjykatës pas vetëdeklarimit publik se ka qenë bashkëpunëtor i SHIK-ut dhe se ka kryer disa vrasje dhe ka marrë pjesë në shumë të tjera në Kosovën e pasluftës, i ka shkruar të birit të viktimës Sali Gashi, Afrimit. Në letër, Bllaca sqaron se vrasjen e babait të Afrimit nuk e kryer UÇK-ja, por personalisht Fahrudin Gashi – “Faruku”, për t’i fshehur gjurmët e bashkëpunimit të tij me policinë serbe, të cilat, sipas Bllacës, i dinte vetëm Sali Gashi.

Letra shpalosë një të dhënë rrëqethëse, sipas së cilës, Sali Gashi, i vrarë më 15 qershor të vitit 1999, nuk paska qenë kurrë spiun i Serbisë. Ai, siç i shkruan Bllaca djalit të viktimës, është vrarë për motive të tjera, të cilat, thuhet në letër, kanë të bëjnë me fshehjen e një të vërtete për Fahredin Gashin – “Farukun”, si “bashkëpunëtor i Serbisë”, gjë për të cilën e paska ditur vetëm Sali Gashi.

Letra sqaron detaje të tjera të vrasjes së Sali Gashit, të cilën e përshkruan vetë Nazim Bllaca. Ky i sygjeron Afrimit, që ta denoncojë sa më shpejtë rastin dhe jo, sipas tij, në Policinë e Kosovës, por në UNMIK, sepse, siç thotë Bllaca në letër, “Fahrudini i ka njerëzit e tij në polici”.

Nazim Bllaca shkruan se vrasjen e Sali Gashit e ka kryer vetë Fahredin Gashi dhe i sygjeron të birit të viktimës që rastin ta denoncojë për ta vënë në vend nderin dhe fytyrën e familjes, sepse Saliu “kurrë nuk paska qenë spiun i Serbisë”. Sipas Bllacës, spiun ka qenë vetë Fahredin Gashi – “Faruku” dhe ai në një kohë paska qenë edhe i burgosur i UÇK-së.

Në fund të letrës, krahas kërkesës për ta mbajtur të fshehtë dhe të pazbuluar, Bllaca në dorëshkrim ia përcjellë Afrim Gashit edhe numrat e telefonit në të cilët ai mund t’i lajmërohet, duke i kërkuar kospiracion të plotë.

Rasti Bllaca është hapur në vitin e kaluar, pak kohë pas deklarimit publik të personit kyç, Nazim Bllaca, në mes të kryeqytetit kosovar, Prishtinës, se ka qenë pjesëtar i SHIK-ut dhe se, pas luftës, me urdhër të tij ka vrarë disa persona, në mesin e të cilëve Ibush Kllokoqin dhe Sali Gashin, kurse ka marrë pjesë në disa raste të tjera të vrasjeve, plagosjeve e torturave, siç ka thënë ai, me urdhër të SHIK-ut, ndaj disa të apostrofuarve si bashkëpunëtorë të Serbisë në Kosovë. (LajmeShqip.com)